Ministri i Punëve të Brendshme i Kosoves, Skender Hyseni, priti në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou
PRISHTINË, 19 Janar /ATSH /.- Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, priti sot në një takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou.
Ministri Hyseni e njohu shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, me prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u fokusuar në veçanti në adresimin e sfidave të sundimit të ligjit dhe sigurisë në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit mes ministrit Hyseni dhe shefes Athanassiadou u diskutua për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Greqisë.
Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë shprehu gatishmërinë e saj për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e sigurisë .
Ministri Hyseni e falënderoi shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, për përkrahjen e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.
Ai theksoi se njohja formale e pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë është parakusht thelbësor që Greqia të luaj rolin që i takon, si vend i rajonit, në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. /KosovaPress/k.s/









