Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, gjatë vizitës sot në komunën e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut
PRISHTINË, 18 Gusht /ATSH/ -Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, gjatë vizitës sot në komunën e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut tha se, Policia e Kosovës është marrë efektivisht me ekstremizmin e dhunshëm dhe në mënyrë shumë të suksesshme, ka bërë arrestimin e personave që kanë qenë të dyshuar për terrorizëm.
"Ne jemi të interesuar që të merremi sa më pak me veprime represive. Ne duhet ë angazhohemi që të gjithë që të parandalojmë veprimet e tilla në mënyrë që të mbrojmë qytetarët tanë, familjet e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi", tha ministri Hyseni.
Ai theksoi se, është obligim moral dhe qytetar që të gjithë institucionet, predikuesit fetarë, këshillat e prindërve dhe grupet e ndryshme të grave që të dërgojnë mesazhin e paqes dhe tolerancës.
Në takim me kryetarin e komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, u tha se, gjendja e sigurisë së përgjithshme në këtë komunë është stabile dhe e qetë.
Gjatë vizitës në Han të Elezit, ministri Hyseni u prit nga nënkryetari i kësaj komune, Menduh Vlashi dhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, ku u njofua se në përgjithësi ka trend të rënies të veprave të ndryshme kriminale.
"Si Këshill Komunal për Siguri në Bashkësi duhet të dërgoni tek qytetarët mesazhin për veprimet parandaluese dhe edukuese kundër dukurive të këqija që mund të godasin komunën dhe Kosovën në përgjithësi. Me këtë ndihmoni shumë Policinë e Kosovës që të ketë punë më pak dhe në këtë mënyrë pasojat të jenë më të vogla", tha ai.












