TIRANË – Problemet e ish-ushtarakëve, ish-policëve dhe personave të tjerë që kanë shërbyer në detyra të ngjashme kanë qënë tema e deklaratës së sotme për shtyp të Partisë Socialiste, mbajtur nga Vasilika Hysi.

“Një tjetër dështim i Sali Berishës në këto 8 vite keqqeverisje të vendit e përjetojnë çdo ditë ish-ushtarakët, ushtarakët në rezervë, ish-punonjësit e Policisë të Shtetit dhe ish-punonjësit e shërbimeve të tjera të kësaj natyre të nxjerrë në reformë”, - tha ajo. - “Por ky më shumë se një dështim, është një premtim, ndër të shumtët, i pambajtur i kryeministrit në largim. Sali Berisha premtoi dy muaj përpara zgjedhjeve të 2009, Ligjin për pensionet e ish-ushtarakëve dhe ish-punonjësve të Policisë së Shtetit.

Premtoi dhe, siç pritej, nuk e mbajti këtë premtim: ai refuzoi zbatimin e atij ligji dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, i cili u jepte të drejtë ish-ushtarakëve. Një të drejtë që vetë ai kish shkelur në vitin 2006 me një akt normativ tërësisht anti-kushtetues. Dinjiteti i nëpërkëmbur i ish-ushtarakëve është pjesë e asaj historie rrënimi të madh që po ndodh me Forcat e Armatosura dhe me Policinë e Shtetit.

Partia Socialiste do t'u rikthejë ushtarakëve aktivë dhe ish-ushtarakëve dinjitetin e munguar ashtu siç do t'ia rikthejë atë Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.

Ne do të zgjidhim përfundimisht problemet e zvarritura të pensioneve të ushtarakëve në lirim, policisë dhe shërbimit informativ.

Ne do të ndërtojmë skema të veçanta kontributive dhe përfitimesh, të kapitalizuara ose gjysmë të kapitalizuara, për sigurimin për pensione sipas vjetërsisë në shërbim, si edhe të përfitimeve shtesë për sigurimin e jetës së ushtarakëve që punojnë në kushte me risk të lartë.

Ne do t'u japim ushtarakëve të liruar përfitimin e pensionit të parashikuar në ligjin Nr.9418 dt.20.05.2005 dhe do të shfuqizojmë të gjitha ligjet, aktet normative, vendimet e qeverisë apo urdhëresat e qeverisë aktuale që janë në kundërshtim me ligjin nr 9418 dt. 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror të ushtarakeve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, - përfundoi Hysi.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)