TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë një takimi të zhvilluar ditën e sotme, me strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ngriti një sërë vërejtjesh ndaj tyre duke kërkuar shërbim të shpejtë, efikas dhe profesional për qytetarët dhe vlerësimin e çdo shqetësimi të ngritur prej tyre.

Sipas Burgaj, duhet ndjekur me përparësi çdo problematikë e shfaqur, ndërsa theksoi se duhet të përmirësohet etika e komunikimit të punonjësve të policisë me qytetarët.

“Në asnjë rast nuk duhet të ketë nënvlerësime të telefonatave të mbërritura në Sallën Operative, por duhet një shërbim i shpejtë dhe efikas, pasi në të kundërt impakti tek qytetarët do jetë negativ, duke ndikuar dhe tek besimi i tij tek strukturat e policisë”, u shpreh Burgaj.

Nga ana tjetër, Burgaj theksoi se nëse veprimet nga ana e punonjësve të policisë nuk janë të përshtatshme, atëherë ndaj tyre të merren masat konform Rregullores së Disiplinës. Mungesa e rezultateve, vijoi Burgaj, do të sjellë shkarkime dhe përgjegjësi

BURGAJ: GJENI VRASESIN E PETRIT KURTIT DHE BASHKEPUNETORIN E ALDO HOXHES
Një tjetër pikë e trajtuar gjatë takimit, ishte edhe thirrja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për gjetjen e bashkëpunëtorit të Aldo Hoxhës, autori i cili gjatë grabitjes për varësen e floririt vrau Fatbardha Tafën, ndërsa plagosi edhe motrën e saj. Gjithashtu, e njëjta kërkesë erdhi dhe për vrasësin e Petrit Kurtit, të vrarë pak ditë më parë në minimarketin e tij në Yzberisht në sy të gruas.

“Nëse nuk ulet situate kriminale në vend, atëherë të gjeni arsyet”, i është drejtuar Burgaj drejtorëve të policisë.

Në takimin e zhvilluar morën pjesë, Drejtori i Policisë së Qarkut Z. Bernard Çaushaj, Shefat e Komisariateve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, punonjës të Sallave të Drejtimit dhe Komandimit, të shërbimit të Patrullës së Përgjithshme, si dhe punonjës të tjerë të strukturave të sigurisë publike.

(Gre.M/Shqiptarja.com)