Sot është konfirmuar shitja e Telekom Albania, operatorit të dytë i telefonisë celulare në vend, tek grupi i shqiptaro-bullgarëve për 50 milionë euro. Grupi grek OTE- i, cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit Deutsche Telecom e zotërues i 99.79% të aksioneve të Telekom Albania, njoftoi mesditën e sotme se OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë tek kompania bullgare Albania Telecom Invest AD.
Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor shqiptar.
Por kush është Spas Roussev, aksioneri kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom?
Spas Roussev besohet të jetë një nga bullgarët më të pasur, për të cilin mendohet se e ka vendosur pasurinë e tij menjëherë pas regjimit komunist. Ai e filloi karrierën e tij si zv/drejtor i Agjencisë për Ndihmën e Huaj, organit shtetëror që ka qenë përgjegjës që në lindje të demokracisë e deri në vitin 2007 për menaxhimin e ndihmave humanitare të qeverive të huaja për Bullgarinë.
Ai ka qenë në vitet 1991-1992 këshilltari i presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Zhelio Zhelevit, dhe më vonë edhe i mbretit të fundit të vendit e njëkohësisht kryeministrit të viteve 2001-2005, Simeon Sakse-Koburg-Gothe. Sipas mediave vendase, Roussev, i cili jeton në Londër që nga viti 1991, i prezantoi Sakse-Koburg-Gothe disa profesionistë financiarë bullgarë nga qyteti i Londrës, të cilët më vonë u bënë anëtarë të qeverisë.
Kompania bullgare e telekomunikacionit, tani e njohur si Vivacom, u privatizua gjatë mandatit të tyre në detyrë. Vetë Roussev nuk ka qenë kurrë aktiv në politikë pasi interesat e tij gjithmonë kanë qenë të lidhura me telekomunikacionin; ai është bashkë-themelues dhe drejtues i një prej kompanive më të suksesshme të TI në Bullgari, TeleLink, e cila në vitet e fundit ka fituar një sërë ofertash publike me vlerë të majme.
Sipas gazetës hulumtuese bullgare Bivol.bg, kompania TeleLink ofron pajisje telekomunikuese, softuer, pjesë rezervë dhe harxhuese për infrastrukturën IT për Bashkinë e Sofjes, Agjencinë e Regjistrimit, Ministrinë e Shëndetësisë, gjykatat dhe institucione të tjera të rëndësishme. Por oferta e saj më mbresëlënëse është ajo për sistemin e integruar të monitorimit të kufirit bullgaro-turk, që është fituar nga një konsorcium i Telelink dhe Indra Sistemas SH.A. (Spanjë). Pas marrëveshjeve të shumta të privatizimit dhe blerjes, Roussev mendohet të ketë qenë forca lëvizëse, duke vepruar si këshilltar i investitorëve të huaj në Bullgari si Motorola, MTG (Suedi), Electrowatt (Zurich) dhe Intralot (Greqi).
Roussev bleu në vitin 2012 hotelin luksoz në qendër të Sofjes “Radisson Blu” dhe në vitin 2013 hotelin “Hilton”. Biznesmeni njihet në Londër edhe si filantrop. E megjithatë, Roussev është mjaft i rrethuar nga polemikat. Ai shpesh herë është etiketuar si “oligarku i krahut të djathtë” dhe “kardinali gri” në qeverinë e Saxe-Koburg-Gothes, si dhe është akuzuar për lidhje të mëhershme me disa figura nga krimi i organizuar bullgar si Ivan Todorovi, Vasil Bozhkovi dhe Petrovi.
Pas një tentative të dështuar për vrasjen e Todorovit në prill 2003, kur makina e tij shpërtheu në një rrugë të Sofjes, një fotografi u gjet ndër të tjera në mjetin e sulmuar. Publikimi i saj në media shkaktoi tronditje në të gjithë Bullgarinë. Në fotografi mafiozi Todorov shihej në jahtin e Roussevit sëbashku me Petrov, i cili është dënuar për më parë për pastrimin e 26 milionë eurove; me Velçevin, ish ministrin e Financave në qeverinë e Sakse-Koburg-Gothes; Miroslavin Sevlievskin, ish-ministrin bullgar të Energjitikës; Lyubomir Minchev dhe gruan e këtij të fundit Maria Oprenova.
Pak ditë pas jehonës që mori ngjarja dhe fotografia, Roussev pranoi se ai i kishte ftuar personat e sipërpërmenduar personalisht në bordin e jahtit dhe më pas kërkoi ndjesë për problemin që mund t’u kishte sjellë. Në vitin 2010, Roussev pranoi gjithashtu se kishte rregulluar një takim midis mafiozit Todorov dhe kryeministrit aktual Bojko Borisov, i cili ishte në atë kohë sekretar kryesor i Ministrisë bullgare të Punëve të Brendshme.