Pas indeksimit me vetëm 2.5% në muajin tetor, pensionet urbane të pleqërisë mesatarisht janë në vlerën e 20,099 lekë, me një rritje me vetëm 490 lekë në muaj krahasuar me deri para se të bëhej indeksimi.
Ndërsa pensioni rural mesatar ka arritur në 12,174 lekë pas indeksimit të tetorit, ku shtesa ishte vetëm 296 lekë, ndërsa pensioni social përllogaritet në 10,000 lekë në muaj.
Për të mbështetur më shumë pensionistët përballë këtyre pagesave të ulta, qeveria ka prezantuar një skemë me bonuse mujore, që do të nisin nga janari 2026. Për qeverinë këto bonuse i rikthejnë dinjitetin pensionistëve, pasi jepen 1,800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune, 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme apo 1000 lekë në muaj për pensionet rurale.
Por për ekspertin e ekonomisë me këto bonuse vetëm shtohen disa para por jo dinjitet.
“Gjëja më e rëndësishme për të cilën flasin qytetarët sot është: “Sa do të marr unë nga 1 janari? Sa lekë shtesë? As me këtë skemë me bonuse nuk ju kthehet dinjiteti por është shumë më mirë sesa ishte më parë”, tha Çoçoli.
Dhënia e bonuseve mujore duke nisur nga janari që vjen në vetvete nuk rrit bazën e pensionit, pasi indeksimi edhe në tetor të 2026-ës do të bëhet mbi pensionin bazë dhe jo mbi bonusin.
“Jam dakord që nuk mund të quhet rritje pasi duhet të rishikohet ligji i sigurimeve shoqërore por kur marr lekë më shumë, më rritet aftësia blerëse”, thotë Çoçoli.
Lajmi kryesor:
Propozimet për skemën e re/ Preket formula e llogaritjes së pensionit, të rritet mosha dhe hiqen përfitimet suplementare! Ekspertët: Me pagat e nëndeklaruara po bëhet krim











