Gazetari Vladimir Muçaj, ka fituar gjyqin me policinë pasi akuzohej për kundërshtim të forcave të rendit.
Pas disa seancave gjyqësore gjykata i ka dhënë të drejtë gazetarit Muçaj, i cili është edhe kreu i unionit të gazetarëve në Fier. Muçaj u mor si i pandehur në dhjetor të vitit 2019, pasi denoncoi dhunën që efektivët e Policisë së Fierit ushtruan ndaj tij.
Më pas Gjykata e rrethit gjyqësor Fier në datën 15.04.2020 i ka paraqitur gazetarit Vladimir Muçaj, fletë-thirrjen për t'u paraqitur në datën 27.04 2020 për dëgjesë në cilësinë e të pandehurit. Por në seancën e fundit është marrë vendimi ku atij i jepet e drejta mbi këtë çështje.
"Ka përfunduar sot në Gjykatën e Faktit të qarkut Fier procesi gjyqësor ndaj gazetarit Vladimir Muçaj, i nisur një vit më parë. Gazetari, njëherësh kryetar i UGSH qarku Fier, akuzohej sipas padisë së një grupi policësh të Rendit të Komisariatit të qytetit nën akuzën:” kundërshtim të forcave të rendit”. Prokurori i çështjes e mbrojti këtë akuzë edhe në seancën e sotme të Gjykatës, duke e kthyer procesin në një komedi akuzimi, ku në fakt, “viktima po trajtohej si i akuzuar”. Avokati mbrojtës i kolegut Muçaj pasi paraqiti në seancë dokumentacionin e auditit dhe verifikimeve nga SHKÇB-ja, e futi procesin në një moment kthese. Trupa gjykuese në vendimin e vet e pushon çështjen duke i njohur palët me mbylljen e saj.
Gjatë një viti, rreth kësaj akuze, janë zhvilluar disa seanca dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit këmbëngulnin për ndëshkimin ligjor të gazetarit.
Në muajin qershor të këtij viti, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmes një deklarate tërhiqte vëmendjen rreth akteve të dhunës policore mbi gazetarët, ku përmendej edhe rasti i gazetarit Muçaj. Në reagim Unioni nënvizonte se: ” Raste të dhunës dhe arbitraritetit policor ka pasur edhe në qytetin e Fierit si në rastin e kryetarit të UGSH-së Vladimir Muçaj për këtë qark, ndaj të cilit në mënyrë absurde ka nisur edhe një proces gjyqësor, ndërkohë që vetë policia e shtetit përmes dokumentave të shkruar ka fajësuar policinë locale", thuhet në deklaratën e unionit të Gazetarëve Shqiptarë.