TIRANË- Fadil Tërnova, 38 vjeç nga Bulqiza, një person i cilësuar me rrezikshmëri të lartë nga autoritetet shqiptare dhe i njohur si i forti i Dibrës u ekstradua nga Italia në Shqipëri. Ndaj tij rezulton që Gjykata e Dibrës të ketë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, i akuzuar për disa vepra të rënda penale.

Historiku i tij kriminal daton që prej vitit 2009, kur Tërnova plagos rëndë një person. Në vitin 2012, u kap me pistoletë dhe fishekë. Ndërkohë në 2013, Tërnova akuzohet për vrasjen e biznesmenit të kromit Shefqet Shehu në qytetin e Bulqizës dhe plagosi rëndë vëllanë e tij Vehab Shehu. Dënim që rezulton ta ketë shlyer me dy vite paraburgim.

Aktualisht, Tërnova kërkohet për 3 ngjarje kriminale nga autoritetet shqiptare. Në 2018 rezulton që ka marrë një dënim me 2 muaj burg për mos bindje të Policisë së rendit publik, dënim që rezulton i pashlyer.

Në 2023-shin ndaj tij është caktuar masa arrest me burg pasi ka ushtruar dhunë ndaj shefit të policisë bashkiake të Bulqizës. Ndaj tij rëndon akuza “Goditjet për shkak të detyrës”.

Ndërsa në 2024-ën, i është caktuar po ashtu masa arrest në burg në mungesë për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në aksin “Bulqizë-Tiranë”, pas një konflikti për motive të dobëta ka tentuar të vrasë një person me automatik.

Njoftimi i Policisë:

Ekstradohet nga Italia, një shtetas i akuzuar/dënuar për 4 vepra penale, ndër to, për tentativë për vrasje me armë zjarri.

•shtetasi i arrestuar në Itali, F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, pasi Gjykata e Dibrës:

-në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”, shtetasi F. T. ka tentuar të vrasë me armë zjarri (automatik), shtetasin A. P., pas një konflikti verbal me të, për motive të dobëta;

-në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim;

-në vitin 2018, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Lajm në përditësim...