Prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur më 19 prill 2023 në Shëngjin.

Me qëndrimin e saj në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, organi i akuzës ka kërkuar që të mos ndryshohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë, e cila e dënoi Saraivën me burgim të përjetshëm.

Sipas dosjes së prokurorisë, shtetasi portugez dyshohet se ishte personi që ekzekutoi me armë zjarri biznesmenin Nikulaj, brenda ambienteve të hotelit të tij.

Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë, duke kërkuar në Apel ndryshimin e tij dhe rivlerësimin e provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.

Tashmë pritet që Gjykata e Apelit të shprehet për çështjen, më datën 2 dhjetor të këtij viti. Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte vijim i zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt i nisur në 1997 duke shkaktuar bilanc me shumë viktima mes dy fiseve.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë