Me një vendim 'surprizë', Gjykata e Apelit Durrës ka liruar sot nga burgu Erjon Petin, i arrestuar në prill të vitit të kaluar, pasi në kontejnerin e kompanisë 'Masabi Fruits' ku ai ishte ortak u kapën 143 kilogramë kokainë. Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e avokates së Petit, duke e lënë këtë të fundit pa asnjë masë shtrënguese. Ndërkohë mësohet se të njëjtën rrugë ligjore pritet të ndjekë edhe Klajdi Xibraku, aksioneri tjetër i kompanisë që u arrestua në një ditë me Petin.

Në seancat e kaluara gjyqësore, Xibraku dhe Peti nuk kanë pranuar autorësinë  e lëndës narkotike dhe përfshirjen e tyre në trafikun e drogës duke e mohuar se ishin ata që kanë porosittë 143 kg kokainë në kontenierin me banane. Ata kanë pretenduar se kanë porositur vetëm bananet dhe se nuk kanë lidhje me lëndën narkotike.

Por edhe pse ata e mohuan përfshirjen në këtë ngjarje, Erion Peti në ta kaluarën është arrestuar në Itali pikërisht për trafik kokaine. Erion Peti është kushëri i Klajdi Xibrakut, edhe ai ortak me 50 % i “Masabi Fruits” që importonte banane dhe i tregtonte me markën Bo Bananas.

Kujtojmë 143 kg kokainë u kap në portin e Durrësit më 10 prill ku ka qenë skaneri i kontrollit që  zbuloi gjurmë të modifikimeve në kontenier dhe zbuluar sasinë e madhe të drogës të vendosur në tavanin e konteinerit me banane për llogari të kompanisë shqiptare 'Masabi Fruits' me seli në Kombinat të Tiranës.

Kokaina ishte e ndarë në 120 pako dhe kanë të stampuar foton e Pablo Eskobar, narko-trafikantit kolumbian si dhe shënimet "El mejor" (më e mira) dhe "Viejon" (i moshuari) dhe ishin të mbështjella me natriban kaf dhe të zi.