TIRANE- Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijon të zbërthejë detaje nga dosja e arrestimit të tij me kërkesë të prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Nga paraburgimi i Durrësit, përmes një reagim në facebook, duke i cilësuar veprimet hetimore të SPAK, si një proces vettingu ndaj tij, Veliaj shkruan se prokurorët e posaçëm kanë rrëmbyer telefonat e njerëzve që ai njeh prej 20 vitesh në Tiranë.

Kryebashkiaku përmend gjithashtu një nga faktet e evidentuara në dosjen penale ndaj tij, lidhur me takimet që ai ka zhvilluar me dy arkitektë ndërkombtar.

thotë se ata që Ols Dado i cilëson si agjentë të huaj në fakt janë dy arkitektë, me reputacion ndërkombëtar, Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti që i kishte takuar jo për favore personale, por për kontribut falas për Tiranën.

 

Ai thekson se falë këtij modeli bashkëpunimi me arkitektët e huaj sot Tirana ka disa nga projektet më të bukura.

Duke renditur sponsorizimet që Bashkia Tiranës ka përfituar në 10 vite në drejtimin e tij, Veliaj thotë se refuzon t'i besojë shprehjes së "kush punon shumë në këtë vend e pëson", duke shkruar se kurrë s’do ta pranojë që të kërkuarit për qytetin, e jo për vete, është korrupsion.

Reagimi i plote

Përpara se t’ju uroj një fundjavë të mbarë, më lejoni t’ju argëtoj pak sot, me dy akuza të tjera, sa komike për nga thelbi, aq edhe tragjike për nga fakti se janë përdorur për të futur në burg pa gjyq një të zgjedhur nga populli.

Vetingu 20 vjeçar, i paprecedentë për askënd dhe ilegal fundekrye, gjeneroi një rrëmbim të pashembullt telefonash nga dhjetëra qytetarë, të cilët i kam njohur në 20 vjet jetë në Tiranë dhe punë për Tiranën. Ky besoj është i vetmi vend demokratik ku telefonat rrëmbehen rrugëve dhe jo vetëm nuk kqyren në sytë e të zotit, vetëm për çështjen për të cilën ka një hetim, po iu thithen të tëra të dhënat personale, ndërkohë që fizikisht mbahen edhe ata në paraburgim pa afat.

Telefon pas telefoni dhe gjurmim pas gjurmimi, Ols Dado më akuzon se kam takuar dy agjentë të huaj, Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti, në fakt dy arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që Nesti Kafka duhet ta kishte për nder t’u jepte dorën. Dhe sipas Kafkës tim, i paskam takuar për “punë sponsorizimesh”, se taktika e tij është “kap thërrime dhe hiqu si dyqan buke”.

Po more, i kam takuar të dy star-arkitektët, me kënaqësi të madhe madje - por, jo për t’ju dhënë ndonjë favor të pamerituar që t’ju marr ndonjë favor personal mbrapsht, po për t’ju dhënë respekt e për t’ju marrë kontribut FALAS për Tiranën.

Jesus Hernandez ka projektuar muzeun “Marubi” në Shkodër, një kryevepër. Po ashtu sheshin e Shirokës, qilimin e gurtë që mori çmim ndërkombëtar. Pasi shpronësuam “Sarajet”, mes betejash e netësh për ta mbrojtur monumentin e kulturës nga pronarë që donin ta digjnin, i kam kërkuar si “sponsorizim” një koncept-ide se si mund ta kthenim atë godinë në një Muze Etnografik të Tiranës. Gjithmonë kam besuar se edhe arkitektët e huaj, që fitojnë nga pjesa e tyre e punës në Tiranë, duhet t’i japin edhe diçka nga vetja qytetit, po edhe ata asnjëherë nuk kanë thënë jo. Njësoj veprova edhe me Elisabetta Terragni-n, ku pas “Shtëpisë së Gjetheve” - një tjetër sukses - i kërkova të “sponsorizonte” me projekt-ide “Shtëpinë Kadare - Agolli”, të cilat sot kanë dalë si xhevahire te Pallati i Maks Velos.

Marco Casamonti-t, projektuesit të stadiumit “Arena Kombëtare”, i kam kërkuar të “sponsorizojë” një pavion për Tiranën në Bienalen e Venecias për arkitekturë. Gjë që sapo është konfirmuar nga kuratori Carlo Ratti - një tjetër arkitekt, të cilit i kam kërkuar “të sponsorizojë” Tiranën në Bienale. Pra, jo para jo, po kontribute me projekt-ide, pa pagesë nga ana e buxhetit të bashkisë.

Eshtë poshtëruese që më duhet të shpjegoj këto çudira, ku Tirana merr, nuk jep, sepse jam në burg pa gjyq edhe për këto. Në 10 vite kam kërkuar nga kushdo të sponsorizojë pemë, çerdhe, kopshte, ekipe sportive, mundësa olimpikë dhe skiatore kampione.

Po sot Erion Veliaj, reagoi pas lajmit të Report Tv që zbuloi shtëpinë 1 kateshe në pronësi të një gomisti, për lejen e të cilës Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa biznesmeni Fusha që do e ndërtonte, për korrupsion aktiv.

Në një postim nga paraburgimi i Durrësit, Veliaj thotë se prokurori i SPAK Ols Dado, i cili ka marrë vetë leje në bashki për pallat, e di se për të aplikuar për leje ndërtimi, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqëri me licencat përkatëse.