Apeli i Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në qeli kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin. Për të disatën herë atij i rrëzohet kërkesa për masë më të butë sigurie se sa arresti në burg. Këtë të premte në seancën gjyqësore mori pjesë edhe ambasadorja e shtetit grek në Shqipëri, Konstandina Kamitsi. Ajo preferoi të mos i përgjigjej interesit të mediave, lidhur me procesin, i cili vjen vetëm pak kohë pasi Parlamenti Europian regjistroi një amendament të eurodeputetëve grek, për shqetësimin që kishin lidhur me arrestimin e tij.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit ku doli edhe fitues për Bashkinë e Himarës. Ai ra në pranga për korrupsion pasiv në zgjedhje, me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, teksa ky i fundit u lirua në fillim të qershorit, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 14.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 114 akti, datë 05.07.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi  Miratimin e vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.