TIRANË- Një vit pas bllokimit, rrjeti social TikTok do të jetë i aksesueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për hapjen e aplikacionit pas bllokimit në muajin mars 2025. Në vendimin e siguruar nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme.

Kryeministri Edi Rama pati deklaruar se mbyllja do të ishte e përkohshme dhe se aplikacioni do të rihapej sapo të arrihej dakordësia me kompaninë kineze për vendosjen e filtrave. Tashmë pritet të shihet se çfarë filtrash do t’i vendosen aplikacionit, kryesisht për të mbrojtur të miturit, pasi vetë në dhjetor shefi i qeverisë pati thënë se është gati plani me kompaninë.

Për vendimin ka reaguar edhe Asocacioni i Gazetarëve, i cili e pati dërguar vendimin për mbylljen e TikTok në Kushtetuese. Asocacioni i Gazetarëve thotë se Këshilli i Ministrave ka kërkuar pushimin me argumentin se ankimi i tyre ka mbetur pa objekt pasi është marrë vendimi për hapjen e aplikacionit. Asociacioni i Gazetarëve shton se qeveria po i shmanget përballjes në Kushtetuese.

“Ditën e nesërme, më 5 shkurt 2026, në orën 10:00, ishte planifikuar të zhvillohej seanca gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese lidhur me bllokimin e platformës TikTok në Shqipëri. Më 3 shkurt, Këshilli i Ministrave njoftoi vendimin për heqjen e masave për ndalimin e TikTok, duke pretenduar shfuqizimin e vendimit të mëparshëm që bllokonte këtë rrjet social. Megjithatë, ky vendim nuk është publikuar ende në Fletoren Zyrtare dhe, për rrjedhojë, nuk ka hyrë në fuqi, çka do të thotë se efektet juridike të ndalimit mbeten ende aktive.

Pavarësisht kësaj, po më 3 shkurt, Këshilli i Ministrave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për pushimin e çështjes, me argumentin se ajo ka mbetur “pa objekt”. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e tij serioz lidhur me këto veprime, të cilat krijojnë dyshime të forta për manovra procedurale me qëllim shmangien e përballjes në Gjykatën Kushtetuese dhe, si pasojë, edhe shmangien e përgjegjësisë institucionale për një vendimmarrje që ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për lirinë e shprehjes dhe informimit”, shkruan Asociacioni.

Lëvizja e qeverisë për të mbyllur TikTok erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Vendimi u konsultua gjerësisht me prindër dhe mësues, por tashmë me këtë vendim aplikacioni është rihapur për 1.5 milion përdorues shqiptarë, edhe pse një pjesë prej tyre e kanë përdorur aplikacionin edhe gjatë kësaj periudhe përmes VPN-së.

VKM e Këshillit të Ministrave

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 212 pika, 2, 174, 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, "Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë", të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr. 97/2013, "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr. 18/2017, "Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës", me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

1. Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën on-line "Tik Tok" në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.

2. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme, duke respektuar edhe dispozitat ligjore për mbrojtjen të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë.

3. Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, "Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line "Tik Tok", shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministri lafrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.