Një 52-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi akuzohet se përplasi për vdekje një këmbësor dhe u largua nga vendi i aksidentit, ndërsa sipas analizave rezultoi nën efektin e kokainës dhe me nivel alkooli katër herë mbi limitin e lejuar. Ngjarja ndodhi më 27 prill në Castel d’Aiano, në provincën e Bolonjës, ku shqiptari, në drejtimin e një “Mercedes GLC 250”, goditi për vdekje 69-vjeçarin Gaetano Martone.
Sipas mediave italiane, pas përplasjes ai nuk ndaloi për t’i dhënë ndihmë viktimës, por u largua duke braktisur makinën e dëmtuar rreth 500 metra më tej. Automjeti u gjet me xham të thyer, gjurmë gjaku dhe airbag të hapur, ndërsa drejtuesi ishte zhdukur.
52-vjeçari dyshohet se tentoi të humbte gjurmët duke ikur në këmbë përmes fushave, por karabinierët arritën ta identifikonin dhe lokalizonin brenda pak kohe. Fillimisht ai u arrestua për vrasje rrugore, largim nga vendi i aksidentit dhe mosdhënie ndihme, ndërsa u vendos në arrest shtëpie.
Sipas raportimit të medias italiane, shqiptari refuzoi t’i nënshtrohej alkooltestit të policisë, por më pas pranoi të dërgohej në spital për analizat e gjakut. Rezultatet e analizave, të kryera nga laboratori i AUSL Romagna, treguan se ai kishte nivel alkooli 2.0 gramë për litër gjak dhe rezultoi pozitiv edhe për një metabolit të kokainës.
Për këtë arsye, ndaj tij janë shtuar edhe akuzat për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, viktima po ecte drejt qendrës së qytetit kur u përplas nga makina. Disa kalimtarë njoftuan menjëherë ambulancën, por 69-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.
Shqiptari, nga ana tjetër, mohoi fillimisht përfshirjen në aksident dhe pretendoi para hetuesve se kishte dalë nga rruga, por nuk kishte goditur asnjë person. Megjithatë, provat e gjetura në automjet dhe analizat laboratorike, sipas autoriteteve italiane, kanë hedhur poshtë versionin e tij./CorrieredellaSera
Komente










