Një vendim në kufijtë e skandalit është dhënë nga Gjykata e Elbasanit për Behar Pemën, i cili më 13 shtator 2020 aksidentoi me vdekje dy vajza të reja dhe dy të tjera i la të plagosura. Ai është dënuar me katër vite burg për aksidentin që shihni në pamje ekskluzive të siguruara nga Report Tv.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 shtatorit 2020 ndërsa në heshtje prokuroria dhe Gjykata e Elbasanit kanë përfunduar hetimin dhe këtë të premte shpallën vendimin, 4 vite burg për dy viktima. Report Tv mëson se prokurori Binas Nina ka kërkuar 6 vite dënim duke pranuar argumentin se palët përfaqësuese të viktimave dhe autorit kanë normalizuar marrëdhëniet.

Por ky argument duket i dyshimtë, kur i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënës së njërës prej viktimave, e cila nëpërmjet facebook thotë se hoqën dorën nga vetëgjyqësia duke besuar tek drejtësia.

Në momentin pas aksidentit dhe arrestimin nga policia Behar Pema rezultoi se drejtonte mjetin edhe në gjendje të dehur duke goditur nga pas veturën e katër vajzave që për të festuar datëlindjen ishin nisur nga Shkodra në Korçë.

Në bazë të Kodit Penal, neni 290 për 'Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor' thuhet se kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Gjykata dënoi me 4 vite shoferin, nëna e njërës prej viktimave të aksidentit: Nuk bëmë vetëgjyqësi, por jeta vlejti vetëm 4 vite burg

Pasi Gjykata ka dënuar me vetëm 4 vite burg Behar Pemën, i cili i dehur në timon goditi makinën e 4 vajzave të reja, duke i marrë jetën Lusinda Garunja dhe Zheneta Qellia, ka reaguar e ëma e njërës prej vajzave. Për këtë vendim skandaloz ajo ka shkruar se nuk kërkuan të bëjnë vetëgjyqësi, por thekson se sipas Gjykatës jeta vlejti vetëm 4 vite burg. Edhe sa gjëma thotë ajo duhet të ndodhin që i papërgjegjshmi të marrë dënimin e merituar.

“Me 13 shtator ne ditelindjen tende Lusi, fryma e jeta jeme, ta moren jeten padrejtesisht... ne nje dite kur si cdo e re don me e gezu, ti me erdhe e pajete e veshun si nuse, ashtu si cdo nane don me e pa bijen e vet, por ne arkivolin e ftofte...

E dje ty e shoqen tande Xheni te vrane per se dyti... ia lame ne dore drejtesise e nuk kerkume vetegjygjesi, e jeta dy vajzave te vdekuna dhe e dy te tjerave qe shpetune nga dora e Zotit vlejti vetem 4 vite denim per autorin... Si mundet me ndodh e si nuk permbyset kjo bote.... Edhe sa gjame duhet me ndodhe qe i papergjegjshmi me marre denimin e meritum e mos me e pesu edhe shum familje te tjera dhimbjen tone”, shkruan ajo.