Një 36-vjeçar, i dënuar me 12 vite burg, është ekstraduar nga Gjermania ditën e sotme. Policia bën me dije se është ekstraduar Andi Janko, banues në Korçë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në mars të vitit 2017 është dënuar me 12 vite burg për veprën penale "Mashtrimi me pasojë të rëndë”, kryer më shumë se një herë.
Mësohet se Janko, i cili kishte të atin me profesion inxhinier topograf, kishte ndërtuar një skemë mashtrimi që lidhej me pronat dhe tokat. Ai ka mashtruar pesë persona, të cilëve i premtoi se do u legalizonte dhe hipotekonte pronat.
Janku iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
"Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen, arrestimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden Gjermani, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, u bë i mundur arrestimi në Gjermani i shtetasit Andi Janko, 36 vjeç, banues në Korçë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 01.03.2017, e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale "Mashtrimi me pasojë të rëndë”, kryer më shumë se një herë", njofton policia.