Sajimir Alimehmeti, 33 vjeç, i njohur edhe me emrin tjetër Abdul Qawii, është i dënuar me 22 vjet burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për terrorizëm, por në Tiranë familjarët e tij nuk mund të justifikojnë pasurinë në disa llogari bankare, transaksione të cilat kapin vlera të larta.

Për këtë, Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin përfundimtar disa llogari në emër të prindërve, Zyber dhe Vjollca Alimehmeti, të cilat në total arrijnë në rreth 170 mijë euro. Sipas organit të akuzës, pasi është kryer verifikimi i plotë i llogarive, rezulton se nuk justifikohen me të ardhurat që familja Alimehmeti ka pasur ndër vite. Ata kanë pretenduar se bëhet fjalë për kursime prej qirave, por nuk mundën të provojnë deklaratat me dokumente përkatëse. Kjo e ka bindur prokurorinë t’i drejtohet gjykatës, e cila në vijim pritet të marrë vendimin përfundimtar.

Sajmir Alimehmeti është një personazh kontrovers i përfshirë në terrorizëm dhe mbështetës i ISIS-it në SHBA dhe jo vetëm. Ai u arrestua në New York në vitin 2016, si simpatizant i Shtetit Islamik, ndërsa në dokumentet e gjykatës përshkruhet si një mbështetës përsëritës që prej vitit 2014. Gjykata Federale e Qarkut Manhattan e dënoi Sajmir Alimehmetin me 22 vjet burg në vitin 2019, pasi u deklarua fajtor për akuza bashkëpunim me grupe terroriste. Edhe pas arrestimit, në burg tentoi të shpërndajë idetë e tij terroriste, duke e quajtur veten ushtar të ISIS dhe shprehte shpresën për “martirizim” përmes akteve terroriste.

Si veten, Sajmir Alimehmeti ka edhe vëllain, Eraldin, i arrestuar në 2024-ën po në SHBA, dhe në akuzë për terrorizëm. Në atë kohë, FBI deklaroi se Erald Alimehmeti ka bërë përpjekje në internet për të rekrutuar dhe trajnuar individë, që ai besonte se kishin pikëpamje të ngjashme me të dhe vazhdimisht ka shpërndarë një numër udhëzimesh mbi prodhimin e eksplozivëve për përdorim në sulme terroriste.

Njoftimi i Prokurorisë Tiranë

Prokuroria Tiranë kërkon konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A. të dënuar në SHBA për vepra penale në fushën e akteve terroriste

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, për vepra penale në fushën e akteve terroriste, me akuzën se ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Aktualisht ky shtetas, i njohur ndryshe edhe si A.Q., në Shqipëri po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nr.8 të vitit 2025, nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

Ky shtetas, është i biri i shtetasve Z.A. dhe V.A. Nga verifikimi i bërë në lidhje me të dhe familjarët e tij, rezultoi se ka transaksione financiare në banka shqiptare të nivelit të dytë, apo veprime të tjera ekonomike në vlera të larta ekonomike të cilat nuk mund të justifikohen me të ardhurat e krijuara ndër vite. Këta shtetas deklaruan se të ardhurat i kanë krijuar nga qiratë e kursimet, por nuk kanë dokumente të provojnë këto deklarata dhe vlerat monetare objekt kërkese për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe dokumentacion.

Përfundimisht bazuar në hetimin e kryer vlerat monetare të mësipërme nuk justifikohen nga subjekti S.A. dhe pjestarët e tjerë të familjes së tij.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiran kërkon konfiskimin dhe kalimi në pronësi të shtetit të llogarive si më poshtë:

Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93;

Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Eur 15,001.09; dhe

Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

K.B/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 28 Janar, 09:18

    Burg deri në një vit për parkim dysh, si e vlerësoni?