48-vjeçari hungarez Janos Balla, i cilësuar si një nga personat më të kërkuar në Europë, është arrestuar në Meksisë.
Balla akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, ndërkohë që lajmi i arrestimit të tij u bë i ditur nga Ministri i Sigurisë i Meksikës, Omar García Harfuch, i cili njoftoi se 48-vjeçari hungarez, i njohur edhe me pseudonimin “Daniel Takacs”, u ndalua në shtetin jugor të Quintana Roo.
Autoritetet meksikane bëjnë të ditur gjithashtu se Balla ishte dënuar në një nga vendet e Bashkimit Evropian me gjashtë vjet burg për kontrabandë droge dhe substancash psikotrope.
Ai ishte gjithashtu subjekt i një ‘alarmi të kuq’ nga Interpoli, që kërkon bashkëpunimin ndërkombëtar për arrestimin e personave të kërkuar.
Po ashtu bëhet e ditur se arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes autoriteteve meksikane dhe atyre hungareze. Përmes shkëmbimit të informacionit dhe punës hetimore, u arrit të identifikohej vendndodhja e tij në komunën Benito Juárez, ku u realizua një operacion i koordinuar që çoi në ndalimin e tij.
Pas arrestimit, Balla u vendos në paraburgim nga Instituti Kombëtar i Migracionit në Meksikë, ndërsa autoritetet po verifikojnë statusin e tij dhe po përgatisin procedurat për deportimin e tij drejt Evropës.
Ky arrestim konsiderohet një tjetër sukses i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar nën presidencën e Claudia Sheinbaum. Ajo ka ndjekur një qasje më të ashpër ndaj karteleve të drogës, duke u distancuar nga politika e mëparshme “përqafime, jo plumba” e ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador.
Komente










