Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja do të rigjykohet në Apelin e Posaçëm (GJKKO) për veprat penale fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, me tjetër trupë gjykuese me vendim të Gjykatës së Lartë.
SPAK kishte kërkuar një vit burg me akuzën e fshehjes së pasurisë, por GJKKO-së e dënoi me 6 muaj, të cilat iu konvertuan në një vit shërbim prove.
Sipas SPAK Bashkim Dedja ka fshehur një apartament në formularin e vetëdeklarimit teksa ishte gjyqtari i parë që dënohej nga GJKKO, pasi nuk kaloi Vetting-un. Ish-anëtari i Kushtetueses u shkarkua nga Vettingu për mos justifikim e një apartamenti ne Durrës, ndërsa në prill të vitit 2021, gjykata vendosi sekuestrimin e tij.
Dedja akuzohet se ka kryer deklarim të rremë të një apartamenti me sipërfaqe 146 m2 në Tiranë lidhur me një hua 10 mije euro të marrë nga kunati i tij. SPAK thekson se nga hetimi huadhënësi rezultoi në pamundësi për dhënien e kësaj huaje.
Bashkim Dedja është i pari nga ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e shkarkuar nga vettingu i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa të tjerë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga vettingu janë ende nën hetim.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese e kaloi shkallen e parë të vettingut, por ishte shkalla e dytë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit që e rrëzoi duke e larguar nga detyra.
Komente










