TIRANË- Pasuria me vlerë 300 mijë euro i është sekuestruar një 42-vjeçari të dënuar në Itali për trafik droge. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Gjino (Shkëlqim) Lleshaj, i cili dyshohet se këtë pasuri e ka vënë përmes veprimtarisë kriminale.
Konkretisht, është sekuestruar një garazh, një makinë dhe një njësi tregtare, pasuri të cilat në total kapin vlerën 300 mijë euro.
“Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në emër të shtetasit Gjino (Shkëlqim) Lleshaj, 42 vjeç, dhe të familjarëve të tij.
Në zbatim të këtij vendimi u sekuestruan një automjet, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë, vlera e të cilave arrin rreth 300.000 euro”, njofton policia.
Gjino Lleshaj u arrestua në Tiranë më 2 maj 2020 dhe më pas është ekstraduar në Itali ku po vuan dënimin për trafik lëndësh narkotike. Lleshaj ka patur rolin e ndërmjetësit, që së bashku me persona të tjerë, i ka dorëzuar një sasi të madhe droge kanabisi një shtetasi italian.