Ilir Shehut, pronarit të katër kompanive farmaceutike, i janë sekuestruar 29 pasuri me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës. Mes tyre janë kompanitë “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”, tetë prona të paluajtshme, tetë automjete dhe pasuri të regjistruara në emër të subjekteve të lidhura me të. Shehu, i njohur edhe si Ilir Pasholli, është dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Sipas prokurorisë, autoritetet italiane e identifikuan si pjesë të një skeme kontrabande ilaçesh mes Italisë dhe Shqipërisë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës
Sekuestrohen me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit Ilir Shehu, alias Ilir Pasholli përfshirë subjektet ‘Medicamenta’, ‘Mega Store’, ‘Unipharma’ dhe ‘Italialbania Pharma’ si dhe tetë prona të paluajtshme dhe tetë automjete dhe prona të regjistruara në subjekte të lidhura me të.
Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.23, të nisur mbi bazën e akteve të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mbi ankesën se ky shtetas dhe personat e lidhur me të zotërojnë një sërë pasurish të përfituara në mënyrë të paligjshme nga përfshirja në ativitetin kriminal të lëndëve narkotike, rezultoi se shtetasi Ilir Shehu alias Ilir Pasholli ishte zbuluar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë.
Nga hetimet rezultoi se ai kryente blerje të ilaçeve në Itali me faturë zyrtare, ku regjistronte mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë. Në momentin e eksportit për në Shqipëri, dokumentacioni kalon doganën italiane me vlerë dhe peshë reale. Në doganën shqiptare ndodhte manipulim pasi ruhej vlera dhe pesha por shkurtohej lista e artikujve, duke deklaruar vetëm 4 ose 5 produkte, ndërsa pjesa tjetër futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt. Një pjesë e këtyre barnave, legalizohen nëpërmjet një operatori tjetër, me qëllim të fshihen gjurmët e origjinës së kontrabandës.
Ky shtetas rezultoi se krijoi një pasuri të ngritur mbi aktivitet kriminal dhe mungesë kontrolli institucional. Ai zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të krijuar me kapital pas dënimit për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Për më tepër, aksioneri italian i Medicamenta është një shtetas italian nën akuzë për korrupsion në vendin e tij. Pavarësisht këtyre fakteve, kompanitë e Shehut kanë operuar lirisht në tregun shqiptar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli serioz pasuror ose ligjor, edhe pse ligji antimafia parashikon sekuestrim të pasurive për individë të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurisë se luajtshme të shtetasit I. Sh. alias I.P., rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se kjo pasuri e luajtshme, të jetë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi sekuestrimin e pasurisë të paluajtshme e të luajtshme të subjekteve si më poshtë vijon:
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim.....










Komente
Komento