Një 39-vjeçar, i cili është dënuar me 23 vite burg për vrasje, 8 vite për trafik të narkotikëve dhe 1 vit për armëmbajtje pa leje, është ekstraduar paraditen e së shtunës nga Hollanda drejt vendit tonë.
Report Tv raporton se bëhet fjalë për Bledar Qemalaj, lindur në Fier.
Bledar Qemalaj
Prokuroria e Tiranës ka dërguar disa ditë më parë dosjen në shkallën e parë me të pandehur Bledar Qemalajn, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Edmond Vruho. Sipas akuzës, viktima Edmond Vruho në vitin 2000 ka vrarë vëllain e të pandehurit në Fier. Bledar Qemalaj kishte kohë që e ndiqte viktimën, për të marrë hak për vrasjen e të vëllait. Ai e vrau atë me armë zjarri më datë 3 maj 2004 në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë. Ndërsa në datën 25-26 gusht 2004, Bledar Qemalaj në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë ka arritur që të trafikojë nga Shqipëria drejt Italisë 15 kg heroinë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hage/Hollandë, u bë i mundur arrestimi i tij në Amsterdam, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar Qemalajn më datë 28 mars 2006 me 23 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe me datë 20 nëntor 2009 e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”. Kurse Gjykata e Apelit Vlorë me datë 22 tetor 2004 ka lënë në fuqi vendimin penal të marrë më datë 27 maj 2004 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier,e cila e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Komente

