Policia e Vlorës ka arrestuar 47-vjeçarin Mariglen Dogën në banesën e tij, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i Dogës është bërë me qëllim ekstradimin në Itali, pasi Gjykata e Bolonjës e ka dënuar me 20 vite burg për vrasjen e një bashkëkombasi në vitin 2000 në Ravena të Italisë.
Sipas informacioneve paraprake, arrestimi është kryer në momentin kur forcat e policisë kanë mbërritur në banesën e tij për të ekzekutuar urdhrin përkatës.
Mësohet se Doga kishte vuajtur një pjesë të dënimit me burg, por i kishin mbetur edhe 6 vite për të shlyer plotësisht dënimin. Për këtë arsye, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet që Policia e Vlorës të japë detaje zyrtare mbi arrestimin, vendimin penal dhe rrethanat e kërkimit ndërkombëtar.
Më herët Doga ishte dënuar me 10 vite burg për vrasjen e Isuf Gjonit në Vlorë. Po ashtu ai arrestuar edhe për gjobvënie ndaj një biznesmeni, por për këtë çështje ishte shpallur më pas i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit në kërkim Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili u lokalizua në lagjen ‘Pavarësia 3’”, thuhet në njoftimin e Policisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe e ka dënuar këtë shtetas, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vitin 2000, në Ravena, Itali, 47-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento