26-vjeçari shqiptar Romarjo Tahiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e një bashkatdhetari në Selanik në vitin 2020, është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se arrestimi i 26-vjeçarit të lindur në Korçë u realizua në kuadër të operacionit të koduar ‘The Wanted’, në bashkëpunim me Interpol Athinën.

Sipas hetimeve, i riu dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Orgel Xhambazi dhe Medi Ganolli, ka vrarë bashkëkombasin e tij Spartak Dervishin, pasi fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me thikë.

Kallëzimi për vrasjen u bë nga familjarët e viktimës në Korçë. Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i kishte caktuar 26-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Pas arrestimit të tij në Greqi, autoritetet shqiptare dhe ato greke vijojnë procedurat për ekstradimin e të dyshuarit në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit / Vijon intensivisht bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i dyshuar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik, në vitin 2020, kapet në Greqi 26-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestua provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, R. T., 26 vjeç, i lindur në Korçë.

Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, shtetasi R. T., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar S. D., të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.

Familjarët e viktimës kanë bërë kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur në Selanik dhe veprimet janë koordinuar me autoritetet greke.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri.