Futbollisti francez Kylian Mbappe është grumbulluar me kombëtaren e Francës për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024. Teksa u paraqit për një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes të së premtes ndaj Gjilbraltarit, kombëtarja kaloi në plan të dytë duke qenë se të gjithë gazetarët e pranishëm ishin të interesuar të dinin më shumë rreth të ardhmes së sulmuesit.
Mbappe u shpreh se i dërgoi një letër drejtuesve të PSG për t’i njoftuar se nuk do ta rinovojë kontratën përtej vitit 2024, ndërsa u shpreh i habitur që një letër të kishte marrë përmasa të tilla.
“Sinqerisht, nuk besoja se do të ofendoja me anë të një letre. Ishte vetëm një letër, nuk e mendoja se do të “vriste” ndokënd. E ardhmja? Në këtë moment kam vetëm një opsion, të qëndroj tek PSG. Në planin tim do të jem me skuadrën sapo të nisin përgatitjet për sezonin e ri. Presidenti Emmanuel Macron nuk do të ketë asnjë impakt në vendimin për të ardhmen time, ai dëshiron që unë të qëndroj te PSG.
Dhe, në fakt unë do të qëndroj, pra jemi në të njëjtin krahë. Njerëzit do të flasin, do të kritikojnë, por unë e di se çfarë do të bëj dhe se çfarë do të them. Shumë veta flasin, por nuk kanë informacionin e duhur”, u shpreh Mbappe.