Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Durrës aty ku një 15-vjeçar ka rënë në gropën e ashensorit të një subjekti privat, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

I plagosur po ashtu ka mbetur edhe një tjetër person, i cili kishte shkuar për ta ndihmuar minorenin.

Sipas të dhënave të policisë, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr.14, Shkozet, Durrës, tek firma e këpucëve ku duke lëvizur në ashensorin e kësaj godine ka rënë nga një lartësi 6 m K.L. 15 vjeç, ndërkohë, B. D. 44-vjeç, punonjës pranë kësaj firme, i cili ka shkuar  për të ndihmuar K.L.  në tentative për t’i shpëtuar jetën, janë rrëzuar të dy bashkë në gropën e ashensorit.

Mësohet se i mituri kishte shkuar në subjektin ku ndodhi ngjarja për t'i dhënë të ëmës, e cila punonte aty, faturën e energjisë elektrike, për të bërë pagesën e saj. OSHEE i kishte stakuar dritat një ditë më parë për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve. Për këtë shkak, ajo kishte telefonuar të birin që t'i sillte faturën dhe të dy sëbashku i janë drejtuar zyrave të Postës për të shlyer faturën, por në pamundësi financiare për të kryer të plotë pagesën, janë kthyer sërish në ndërtesën ku ndodhi tragjedia. 

Gjatë kohës që e ëma punonte aty, i mituri ka qenë duke luajtur me ashensorin e mallrave. Për një moment ai kishte kujtuar se kishte mbërritur në katin e tretë por ishte disa metra me poshtë dhe teksa po dilte mbeti i shkalavarur.
 
Punonjësi i shërbimit shkoi ta ndihmonte por që të dy përfunduan në gropë.
 
Pasojat janë vdekja e djalit dhe punonjësi me disa fraktura. Nga hetimet paraprake rezulton se ashensori ishte i amortizuar.
 
ashensori durres
ashensori durres
(Foto nga vendi ku ndodhi ngjarja)


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)