I dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të udhëtojë për në Gjermani këtë fundjavë për t’u takuar me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë për raundin e fundit të bisedimeve të nivelit të lartë për t’i dhënë fund luftës.
Steve Witkoff, i cili ka udhëhequr përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar midis Ukrainës dhe Rusisë, do të diskutojë versionin më të fundit të marrëveshjes së propozuar të paqes në Berlin.
Administrata Trump kërkon që marrëveshja të jetë në fuqi deri në Krishtlindje dhe ka zhvilluar disa raunde bisedimesh me përfaqësuesit ukrainas e rusë në javët e fundit, megjithëse ka pasur pak shenja se një përparim i madh është afër.
Ende nuk është konfirmuar se cilët liderë evropianë do të marrin pjesë në bisedimet e Berlinit.
Wall Street Journal, e cila raportoi e para detajet e takimit, tha se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Sir Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të marrin pjesë.
Konfirmimi i takimit Witkoff-Zelensky vjen disa ditë pasi Ukraina i dha SHBA-së versionin e saj të rishikuar të një plani paqeje me 20 pika, versioni më i fundit i një propozimi që u shfaq për herë të parë në fund të nëntorit dhe ka shkaktuar një fluks aktiviteti diplomatik.
Fati i territorit në Ukrainën lindore mbetet një nga temat më të vështira në negociata, me Kievin që refuzon të lëshojë tokën e pushtuar, dhe Moskën që përsërit qëllimin e saj për të marrë të gjithë rajonin e Donbasit me forcë, nëse Ukraina nuk tërhiqet.
Ndërkohë, Rusia vijoi sulmet drejt Ukrainës duke vijuar të ketë në shënjestër, infrestrukturën civile dhe energjetike. Vetëm sot nga ushtria e Moskës, u lëshuan rreth 500 dronë e raketa në drejtim të disa qytetateve, duke lënë pasoja të rënda. Sipas autoriteteve ukrainase, 1 milion familje ukrainase kanë mbetur pa energji pas sulmeve ruse.

Masat hakmarrëse të Rusisë ndaj ngrirjes së aseteve të saj nga Bashkimi Evropian nuk do të vonojnë, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova. “Përgjigjja jonë do të jetë e menjëhershme. Banka e Rusisë publikoi një deklaratë të detajuar për këtë çështje më 12 dhjetor. Masa konkrete tashmë janë në fazë zbatimi,” deklaroi Zakharova në një njoftim të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të transmetuar nga Ria Novosti.
Më shumë se një milion familje kanë mbetur pa energji elektrike pasi një seri sulmesh ruse gjatë natës goditën infrastrukturën energjetike dhe industriale. Kështu deklarojnë autoritetet ukrainase, të cituara nga BBC. Sulmet ruse të natës kanë dëmtuar më shumë se dhjetë objekte të infrastrukturës civile dhe mijëra persona kanë mbetur pa dritë. Këtë e bëri të ditur Volodymyr Zelensky në një postim të gjatë në X. “Edhe një herë, sulmi kryesor ka goditur sektorin tonë energjetik, jugun e vendit dhe rajonin e Odesës,” shkruan presidenti ukrainas. Janë goditur gjithashtu rajonet e Kirovohradit, Mykolaivit, Sumyt, Kharkivit, Khersonit, Çernihivit, Dnipros dhe Çerkasit.
“Në total,” tha Zelensky, “armiku ka përdorur mbi 450 dronë sulmues dhe 30 raketa të llojeve të ndryshme. Është e rëndësishme që të gjithë tani ta shohin se çfarë po bën Rusia: çdo hap që ndërmerr është për të gjeneruar terror te populli ynë dhe jo për t’i dhënë fund luftës. Qëllimi i saj vazhdon të jetë shkatërrimi i shtetit tonë dhe shkaktimi i dhimbjes maksimale popullit tonë. ”
All necessary services are currently working to restore electricity and water supply in our communities affected by Russia’s overnight attack. Once again, the main strike targeted our energy sector, the south of the country, and the Odesa region.
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) December 13, 2025
Two people have been wounded in… pic.twitter.com/F6ZhEMsEHy

Ukraina do të hynte në Bashkimin Evropian që vitin e ardhshëm, me një përshpejtim shumë të madh krahasuar me procedurat e deritanishme për pranimin e vendeve të reja në BE, sipas draftit të planit të paqes të rishikuar nga Kievi së bashku me liderët evropianë dhe i paraqitur ditët e fundit administratës Trump. Këtë e zbulon Financial Times, duke cituar burime që kanë dijeni për propozimin. Një pikë e nismës përcakton shprehimisht se hyrja e Ukrainës në Evropën e bashkuar duhet të ndodhë “deri më 1 janar 2027”, pra gjatë vitit 2026.
Burimet e cituara nga gazeta e City-t thonë se Komisioni Evropian nuk kundërshton një kalendar të përshpejtuar për anëtarësimin e Ukrainës në BE, pavarësisht se Kievi ende nuk ka përmbushur zyrtarisht asnjë nga mbi 30 kriteret e nevojshme për t’u kualifikuar për anëtarësim. Një përshpejtim i procesit të anëtarësimit për Ukrainën do të përmbyste gjithashtu qasjen ndaj kandidaturave të rreth gjysmë duzine vendesh të tjera që prej kohësh presin të bëhen anëtare të Unionit.
Një kthesë e tillë, sipas të njëjtave burime të FT, do ta detyronte Brukselin të rishikonte tërësisht procesin e zgjerimit, përfshirë çështje si qasja në fondet e BE-së dhe të drejtat e votës. Përshtypja që lihet të kuptohet është se do të bëhej fjalë kryesisht për një angazhim simbolik, për t’i dhënë Kievit një lëshim të rëndësishëm në një pjesë të planit të paqes — hyrjen, në një formë apo tjetër, në bllokun e demokracive perëndimore — në këmbim të lëshimeve të Kievit në pika të tjera të planit, si një heqje dorë ose shtyrje e mundësisë së ardhshme për t’u anëtarësuar në NATO dhe garanci të tjera për sigurinë e tij.
“Nuk ka asnjë mundësi që Ukraina të jetë pjesë e BE-së deri më 1 janar 2027,” i tha gazetës britanike Mujtaba Rahman nga think tank-u Eurasia Group, “por një angazhim i tillë do t’i jepte më shumë forcë kandidaturës së Kievit dhe do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit.” Çelësi i argumentit është se, nëse propozimi do të pranohej nga Shtetet e Bashkuara, me shumë gjasë do t’i detyronte vendet evropiane më miqësore me Moskën, në radhë të parë Hungarinë, të mos vendosnin veton ndaj hyrjes së Ukrainës, siç ka kërcënuar të bëjë Budapesti: sepse nëse do të ishte Trump ai që do t’i kërkonte të jepte dritën jeshile nismës, kryeministri hungarez Viktor Orbán do të duhej të bindej.
Një mundësi për ta përshpejtuar anëtarësimin, vëren gazeta londineze, do të ishte t’u jepej vendeve të reja anëtare një “periudhë prove” prej disa vitesh dhe përjashtimi i tyre nga BE-ja nëse gjatë kësaj faze tranzitore do të kishte hapa pas nga pikëpamja e demokracisë dhe reformave të nevojshme për përkatësinë evropiane, siç ka sugjeruar së fundmi komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos. Natyrisht, mbi të gjitha këto rëndojnë dy të panjohura: qëndrimi i Uashingtonit ndaj propozimit dhe ai i Rusisë. Për këtë do të flitet me siguri në bisedimet e planifikuara për këtë fundjavë në Berlin, mes Steve Witkoff, negociatorit kryesor të Trumpit, liderëve evropianë dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Negociatat mbi garancitë e sigurisë që Ukraina do të merrte nga SHBA-ja dhe Evropa kanë bërë përparime të rëndësishme: kështu shkruan Axios, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, sipas të cilit administrata Trump është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës një garanci të bazuar në nenin 5 të NATO-s, e cila do të miratohej nga Kongresi dhe do të ishte juridikisht detyruese.
“Ne duam t’u japim ukrainasve një garanci sigurie që, nga njëra anë, të mos jetë një çek i bardhë, por nga ana tjetër të jetë mjaftueshëm e fortë. Jemi të gatshëm ta paraqesim për votim në Kongres,” tha zyrtari amerikan për Axios.
Komente










