TIRANË- Vetëm 2 ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 14 maj, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet që të vizitojë Shqipërinë.

Escobar do të vizitojë Tiranën zyrtare më datat 11-13 prill. Zyrtari i lartë amerikan do të takohet me kryeministrin Edi Rama e presidentin Bajram Begaj

Ndërkohë nga opozita pritet që të takohet me kreun e komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabakun, ndërsa siç edhe pritet do të shmangë takimin me Sali Berishën, i shpallur non grata nga SHBA.

Vizita e të dërguarit special të SHBA për rajonin në Tiranë, Gabriel Escobar do të ketë rëndësi të veçantë edhe për shkak të situatës zgjedhore të 6 Majit. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të shtetit i tha  gazetarit Ermal Qori në Report Tv se  Escobar do zhvillojë konsultime të rregullta  në Shqipëri, ndërsa pohuan se kjo nuk do të jetë vizita e vetme e Escobar në rajon, pasi edhe më herët Escobar ka qenë prezent për çështje të rëndësishme

Hera e fundit që Escobar vizitoi Tiranën ishte në prillin e vitit të kaluar kur ai shoqëronte ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike, Karen Donfried.