Pasi iu refuzua kërkesa për azil në Gjermani javën e parë të muajit Prill dhe u kthye në Atdhe së bashku me familjen, një 34-vjeçar ka trilluar një histori për përfituar azil, por plani i tij ka dështuar.

Bëhet fjalë për Femi Nezhën, banues në lagjen “Laprakë” në Tiranë, i cili u ndalua një ditë më parë nga policia e Dibër.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se, Nezha, rreth orës 23.00 të 30 prillit, dyshohet se ka simuluar ngjarjen, ku vetë ai ka qëlluar me armë zjarri në murin e banesës së xhaxhait të tij në Lurë.

Pas këtij veprimi, ai njoftoi disa media paraditen e nesërme, e më pas ka marrë në telefon Policinë e Dibrës, duke u thënë se është qëlluar me armë në drejtim të banesës së xhaxhait te tij ku ndodhej edhe ai. Nga veprimet hetimore të kryera nga policia, rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është vetë personi i lartpërmendur, pasi dyshohet të ketë simuluar ngjarjen me qëllim përfitimin e statusit të azilantit në vendet e BE-së.

Gjithashtu, po 34-vjeçari ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës duke fshehur gëzhojat në vendngjarje. Në faqen e murit të banesës së Q.N., u gjet një gëzhojë plumbi.

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale "Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Redaksia Online