Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku një person ka goditur me thikë vëllanë e tij. Policia ka arrestuar dy vëllezërit Fatmir Bakalli, 56 vjeç, dhe Shpendi Bakalli, 49 vjeç, banues në Elbasan. Sipas uniformave blu, arrestimi i shtetasit Fatmir Bakalli u bë pasi në banesën e tij, në Lagjen “5 Maji” për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur me thikë vëllanë e tij, shtetasin Shpendi Bakalli, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën me të cilën shtetasi Fatmir Bakalli dyshohet të ketë goditur vëllanë e tij, shtetasin Shpendi Bakalli. Ndaj shtetasit Fatmir Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 130/a dhe 279 të Kodit Penal.

Arrestimi i shtetasit Shpendi Bakalli u bë pasi dyshohet të ketë dëmtuar derën e oborrit të vëllait të tij shtetasit Fatmir Bakalli dhe dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së të vëllait shtetases M. B., 53 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime fizike, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndaj shtetasit Shpendi Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Dhuna në familje” dhe “Shkatërrim prone” parashikuar nga nenet 130/a dhe 150 të Kodit Penal.

d.c./shqiptarja.com