I ftohti i vazhdueshëm ka sjellë pezullimin e zhvillimit të mësimit në disa prej shkollave dhe kopshteve të qarkut të Korçës. 130 shkollat do të mbyllin dyert pa afat duke lënë pa mësim 21 mije nxënës.

Nga ana e Drejtorisë Arsimore Rajonale ka ardhur edhe këshillimi për drejtuesit e këtyre institucioneve, të cilët në mungesën e kushteve të ngrohjes të reduktojnë orët mësimore ose të pezullojnë zhvillimin e mësimit.

Ndërkohë që probleme janë regjistruar edhe në spitalin rajonal të Korçës. Drejtues të këtij spitali kanë bërë me dije se për rreth 24 orë, kaldaja e tij ka qenë e ngrirë, gjë që ka bërë qëndrimin në të ftohtin ekstrem të pacientëve.

Ndërkohë, në Fier prej dy ditësh nxënësit e shkollave kanë zhvilluar mësim në temperatura shume të ulëta dhe pa ngrohje. Shkak është bere mungesa e energjisë me të cilën shkollat sigurojnë ngrohjen. Një përfaqësi e nxënësve ka protestuar para Bashkisë për kushtet ekstreme që duhet të përjetojnë.

Bashkia pohon gjendjen e vështirë në shkolla dhe justifikohet me mungesën e fondeve për ndërtimin e sistemit te kaldajave. ah/Shqiptarja.com/