“Të marrin gjithmonë para agimit.” Kështu nis shfaqja “I huaji – From the Bottom of My Future”, e cila sjell në skenë natën e fundit, ose ndoshta jo, të një të dënuari me vdekje.
Në një natë pa gjumë, Merso rikthen momentet më të rëndësishme të jetës së tij: dashuritë e papërjetuara, takimet, vrasjen, procesin gjyqësor dhe përballjen me dënimin. Një udhëtim i brendshëm në absurditetin e ekzistencës dhe mungesën e kuptimit.Shfaqja ka ardhur premierë mbrëmjen e djeshme në skenën e teatrit Eksperimental në Tiranë.
Protagonisti, i interpretuar nga Rafael Hoxhaj, shfaqet si një vizitor në kujtimet e veta, i huaj ndaj asaj që ka jetuar. Ai endet mes mendimeve dhe demonëve të tij, të sjellë në skenë nga Linda Jarani, Kleard Gërmenji dhe Ronaldo Kolgjokaj, pa arritur t’i kuptojë plotësisht.Shkrimi dhe vënia në skenë nga Jonathan Bertolai ndërtojnë një univers poetik dhe metafizik, në një hapësirë skenike minimaliste, që simbolizon limbon ku ndodhet protagonisti. Gjithçka përcillet si një botë mes ëndrrës dhe realitetit, ku filozofia e Alber Kamysë merr formë teatrale.
“Ky është një projekt i lindur nga një bashkëpunim midis kompanisë italiane MAT-Movimenti Artistici Trasversali dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës. Me këtë shfaqje krijuam një koncept të bazuar në personazhin e Mersosë, me të cilin përpiqemi të komunikojmë të gjithë filozofinë e Kamysë, demonët e tij, ëndrrat e tij, mendimet e tij dhe sigurisht, para së gjithash, idenë e tij për ekzistencializmin dhe idenë e tij për të jetuar çdo moment sikur të ishte i fundit.”, thotë për "Report TV" regjisori Jonathan Bertolai.
Shfaqja do të vijojë të ngjitet në skenën e teatrit Eksperimental edhe më 19, 20 dhe 21 dhjetor.
Komente
