Tre njerëz të zakonshëm që kanë humbur çdo gjë: punën, shtëpinë, dinjitetin dhe të ardhmen, si pasojë e krizës financiare vendosin të rrëmbejnë ish-ministren e Punës, njëkohësisht drejtoreshën e bankës më të madhe të vendit, personin që e shohin si përgjegjëse për pushimet masive nga puna dhe sekuestrimet e banesave.

Ky është lajtmotivi mbi të cilin ndërtohet shfaqjaRendi i ri”, e cila është ngjitur në skenë mbrëmjen e së hënës për publikun në Tiranë e do të vijë edhe këtë të martë në Teatrin Kombëtar. Nën interpretimin e aktorëve Era Çaushi, Xhoana Karaj, Aleksandër Kondi dhe Igli Fusha, shfaqja vjen me regji të Kiço Londos.

“Është një dramë në dukje e thjeshtë por brenda thjeshtësisë së saj fshihet një thellësi shumë e madhe, fshihen drama të mëdha individuale të katër personazheve. Është një shfaqje pa heronj, është një shfaqje në dukje me njerëz të zakonshëm, përfshirë këtu edhe drejtoreshën e bankës, e cila është në rutinën e saj të zakonshme, por pas saj fshihen dilema të mëdha, mungesë shprese, mungesë drite, mungesë lumturie, mungesë dinjiteti. Pra, është një dramë që në tërësinë e saj na përfshin të gjithëve në një mënyrë apo në tjetër.”, tha Londo për "Report TV".

Regjisori ndalet veçanërisht te figura e nënës, e pranishme në tri forma të ndryshme në shfaqje: një nënë që ka rritur keq djalin dhe përballet me pasojat fatale; një nënë që ka humbur vajzën në rrugë dhe një nënë që lufton çdo ditë për të siguruar jetesën e dy fëmijëve.

“Është një vepër komplekse dhe sa herë që bëhet fjalë për nënën, më duket sikur shfaqjet janë të gjitha për mua.”, vijon regjisori. 

“Rendi i Ri”, një shfaqje e teatrit shëtitës “Çajupi” është pritur shumë mirë më herët nga publiku në Elbasan, Vlorë e Gjirokastër dhe pas Tiranës, do të vazhdojë turin në veri të vendit, si edhe në Kosovë, Maqedoni, por edhe në Greqi dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.

 “Edhe emigrantët janë pjesë e kësaj drame të madhe; kanë ikur nga mungesa e dinjitetit dhe e shpresës për një jetë më të mirë”., thotë Londo.

Kostumografia e shfaqjes është realizuar nga Silvi Vrapi, ndërkohë që Londo bën me dije se autori katalanas Pompermayer do të jetë i pranishëm vetë në Shqipëri, për të ndjekur nga afër shfaqjen, gjatë muajit janar.