Shkodër- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër ku një 23-vjeçar u arrestua nga policia pasi hyri gjatë mesnatës në banesën e një shtetases A.G.
Besnik Hyseni, 23 vjeç, banues në Vushtri të Kosovës u arrestua rreth orës 02:00 të natës pasi vajza ka telefonuar policinë në momentin që konstatoi prezencën e tij në banesën e saj.
23-vjeçarit gjatë arrestimit iu sekuestrua edhe arma e zjarrit pistoletë tip Zastava në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon një ngjarje me pasoja.
Përndjek dhe kanos me armë një shtetase, duke hyrë në mesnatë në banesën e saj, arrestohet në flagrancë nga policia.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Besnik Hyseni, 23 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë.
Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 02:00 ka hyrë me një armë zjarri tip pistoletë në oborrin e banesës së shtetases A. G. e cila ka telefonuar policinë, dhe falë reagimit të shpejtë të policisë, është arrestuar në flagrancë brenda banesës së shtetases së lartëpërmendur, ku ju gjet edhe arma e zjarrit pistoletë tip Zastava e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale “Përndjekja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” të parashikuara nga nenet 121/a dhe 278/3 të Kodit Penal.