MILANO - I jepet sot lamtumira e fundit njërit prej mbrojtësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Franco Baresit, i cili u nda nga jeta të premten (31 korrik) në moshën 66-vjeçare nga një sëmundje e mushkërive. Ceremonia funerale ka nisur në orën 10:00 dhe në të marrin pjesë tifozë, ish-bashkëlojtarë, si dhe figura të njohura të sportit dhe jetës publike në Itali dhe jo vetëm.

Të pranishëm janë dhjetëra ish-futbollistë dhe përfaqësues të institucioneve, si edhe pronari i Milanit, Gerry Cardinale dhe presidenti Paolo Scaroni, së bashku me drejtuesit dhe punonjësit e 'Casa Milan', 'Milanello' dhe 'Vismara', si dhe presidenti i Lega Serie A, Ezio Simonelli.

Në emër të Federatës Italiane të Futbollit merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm Marco Brunelli. Presidenti i FIGC, Giovanni Malagò, ndodhet jashtë vendit, por të premten, sapo mori lajmin për vdekjen e Baresit, udhëtoi menjëherë drejt Milanos për t'i shprehur ngushëllimet familjes.

Në ceremoni priten gjithashtu kryetari i Bashkisë së Milanos, Beppe Sala, si dhe përfaqësues të Real Madridit, mes tyre edhe legjenda Pirri, si dhe delegatë nga Barcelona.

Të pranishëm janë edhe presidenti i Interit, Beppe Marotta, si dhe shumë ish-shokë skuadre të Franco Baresit, përfshirë Paolo Maldinin dhe Marco van Bastenin. Në mesin e mungesave bie në sy Zlatan Ibrahimovic.

Në emër të skuadrës së parë të Milanit, e cila ndodhet në një turne në Perth dhe nuk ka mundur të kthehet në Itali, marrin pjesë Christian Pulisic dhe Santiago Giménez, të cilët kanë qëndruar në Milanello për të rikuperuar nga dëmtimet.

Gjithashtu, në ceremoni janë të pranishme delegacione nga të gjitha ekipet e klubit, përfshirë skuadrat e meshkujve, femrave dhe akademinë.

Tifozët: Legjendë e pavdekshme, flamur i papërsëritshëm

Një banderolë e madhe është vendosur nga 'Curva Sud' e Milanit në ndërtesën përballë Bazilikës së Shën Ambrozit, ku po zhvillohen homazhet në nder të ish-kapitenit kuqezi. Mijëra tifozë janë në shesh.

Në të shkruhet: Legjendë e pavdekshme, flamur i papërsëritshëm që nuk do të pushojë kurrë së valëvituri. Lamtumirë, Kapiten.

Ndërkohë kanë mbërritur edhe shumë ish-lojtarë të Milanit, si Mauro Tassotti, Alberico Evani, Filippo Galli, Nevio Scala, Angelo Colombo, Marco Simone, Clarence Seedorf, Roberto Baggio dhe Riccardo Montolivo.

Në ceremoni ka mbërritur edhe administratori i ri i deleguar i Milanit, Massimo Calvelli.