Alkid Ndreu, 47 vjeç, anëtar i komisionit të gjobave në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Polici i mori 70 mijë lekë të reja një gruaje në këmbim të patentës, e cila i ishte pezulluar për tre muaj. Gruaja po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa në pranga bashkë me policin Ndreu përfundoi edhe Eduart Caka, sekseri që ndërlidhi të dy për dhënien e patentës, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Gjatë muajit nëntor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi katër efektiv policie, ndërsa për katër të tjerë u mor vendimi për përjashtim nga uniformat blu. Gjatë këtij muaji, polici i Komisariatit nr. 1, Serxhio Cani dhe ai bashkiak, Sajmir Muzikanti, u arrestuan pasi u merrnin para nga 20 deri në 50 mijë lekë të reja përdoruesve të lëndëve narkotike tek Liqeni i Tiranës me forcë. Prokuroria dhe AMP arriti të dokumentonte tre kallëzime ndaj dy policëve. Spartak Gjiçali dhe Roland Ndreko u arrestuan në Fier pas përfundimit të hetimeve për një parcelë me 7 mijë rrënjë kanabis të zbuluar në qershor të këtij viti në Mujalli. 

Por, përgjatë muajve të fundit, përveç përjashtimeve nga AMP, me firmën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku janë përjashtuar edhe të tjerë punonjës policie. Në vetëm 86 ditë në krye të bluve, Rrumbullaku firmosi 14 përjashtime, pjesa më e madhe e tyre për shpërdorim detyre dhe të përfshirë në ngjarje kriminale. Mes tyre, Florenc Bicerri, efektivi i Rrugores i arrestuar në Stambull me kokainë, shefi i komisariatit të Pukës, Pjerin Lazri apo shtatë shefat e drejtorisë së Policisë së Beratit, të cilët nuk vepruan për zbulimin e serës në Drenovicë.

1669975758_ALKIDNDREU.jpg

Alkid Ndreu