- Zef, ti si mâ i vogli kolegjar, duhet t’i shkruejsh nji letër falënderimi At Gjon Shllakut.
- Pater, po un nuk dij!...
- Duhet me dijtë. Shkruej atij gjithçka të ka ndie zemra.
- A po më mëson ti?
- Jo! Letrën do ta shkruejsh vetëm ti, ashtu si e ndien dhe e mendon.
E shkrova. Isha vetëm 7 vjeç. Se çfarë shkruejta nuk e mbaj mirë ndërmend, por i tregova se At Donati na i kishte ndá me “tombola” dhe kurrkush nga kolegjarët nuk kish mbetë pa marrë ndonji send. E falënderova shumë dhe në fund të letrës i thashë se këto dhurata na i dishironim mâ të shpeshta, jo vetëm për Këshëndella, por edhe për Pashkë. Kur e lexoi letrën Pater Donati qeshi me të madhe:
- Çka, - më tha, - ti kërkon përsëri pako?...
- Po, - i thashë, - se ishin sende të bukura.
- âsht marre, - tha, - un të kam thanë me i shkrue vetëm për me iu falë nderës. E ti i kërkon pako të tjera?...
- Ti më ke thanë me i shkrue çka të ndien zemra e un ashtu i shkrova.
Pater Donati qeshi përsëri, mandej më tha se letrën kështu do ta dërgonte pa kurrnji qortim.
Mbas disa muejsh në kolegj erdh nji letër në emnin tim. Pater Donati na e lexoi para të gjithëve. At Gjoni më shkruente se e kishte marrë letrën e falënderimit dhe ish gëzue shum, porse pakot mund i dërgonte vetëm nji herë në vit: për Këshëndella ose për Vitin e Rí. Ky lajmim nuk na pëlqeu aq shum, megjithkëtë iu nënshtruem fatit.
Kaluen disa vite dhe në kolegjë u bâ nji festë e madhe me shumë fretën të ftuem. Në krye të vendit ishte Pater Gjon Shllaku, sepse festa bâhej për të. Kje dita që e shikoja për të parën herë. Ishte nji burrë i rí, rreth të tridhetave, por i plakun para kohe. I shhkurtë, i thatë, i zbehtë, me nji palë syze të zeza që i mbulonin gjysën e fëtyrës që qeshte. Festa, siç thashë, bâhej për të, se mbasi kishte përfundue studimet e nalta në Hollandë për filozofí-teologjí, mbasi kishte marrë masterin në Universitetin e Louven-it të Belgjikës për fiziko-kimi bërthamore dhe kibernetikë, atëherë françeskanët e kishin dërgue në Sorbonën e Parisit me marrë laurën në filozofi. Tema e laurës kje “Aktualizimi i Xh Xhentile”, me anë të të cilës dilte kundër filozofit të njohun aso kohe të fashizmit italian. Përveç këtyne kishte edhe nji diplomë nga Universiteti i Köln-it për gjiornalizëm.
Në të vërtetë, atê ditë, as un as shokët e mi nuk patën përshtypje të mira: nji njeri i plakun para kohe nga studimet. Ai ishte me flokë të ramë, dhe ata që i kishin mbetë, kjenë të thijuna. Pse? Kështu do të ishte jeta jonë françeskane?...
Mbas pak ditësh e patëm profesor në liceun “Illyricum” dhe na jepte mësime në fiziko-kimi, në frëngjisht dhe në ekonominë politike. Ishte profesori mâ simpatik. Në klasë na fliste për marrjen e Bastiljes, që ndryshoi botën. E kuptonim na?... Sigurisht që jo!...
Mbas disa muejsh, në bashkëpunim me kolegun e tij Dr. Athanas Gegajn, organizuen me studentët e gjimnazit të Shkodrës të parën demonstratë para bashkisë dhe prefekturës së qytetit verior, ku kërkohej liria e sindikatave. Aso kohe dukej nji marri. Shteti shqiptár anadollak i Ahmet Zogut nuk e kuptonte fare zhvillimin social të Europës. Demonstrata e studentëve u shpërnda para forcave të gjendarmërisë, por emni i tij hini në rregjistrin e policisë si “subversionist”.
Me 7 prill 1939 Shqipnia iu nënshtrue okupacionit ushtarak italian.
Jo vetëm populli i thjeshtë shqiptár, por edhe gjithë intelektualët, përveç nji pakice, si shkrimtari Z. Ernest Koliqi dhe studiuesi Z. Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja e At Benardin Palaj, ishin kundër këtij okupacioni ushtarak, e aq mâ tepër, kundër kolonizimit kulturor e shpirtnor të Shqipnisë. Gjatë verës ose pushimeve shkollore, Ministria e Arësimit pregatiti nji program të rí shkollor dhe botoi tekste të shtypuna bukur. Që në vitet e fundit të regjimit të Zogut, kishte ardhë në Shqipní nji specialist italian për arsimin dhe organizimin e rinisë shqiptare simbas modelit fashist italian. Ky quhej Gianino Montanelli. Pater Gjoni, si nji demokrat që nuk e donte fashizmin dhe si kryeredaktor i revistës “Hylli i Dritës”, shkroi nji artikull polemik kundër Montanelli në revistën që drejtonte, në të cilën thohej se popujt nuk duhet të çkombëtarizohen, por ata duhej të ruenin identitetin e vet kombëtar e kulturor.
Gjatë verës së vitit 1939 ngjarjet u përshpejtuen ndër të gjitha fushat e veprimit. Benito Mussolini, ideator i perandorisë së ré romake, vazhdonte ose ripërtrinte po atê politikën e vjetër romake, që ishte “korrupsioni i krenëve”. Kështu ai, me dekrete mbretnore, emnonte”Comendatore” ose “Cavaliere” me qinda shqiptarë të randësishëm të asaj kohe. Edhe Fishtës i erdhi nji emnim për “Cavaliere”, por ai nuk e pranoi, tue thanë se protokolli nuk përmbante nji dekoratë të përshtatshme për atê. Mâ vonë me nji dekret tjetër perandorak u emnuen katër senatorë shqiptarë: Ernest Koliqi, Gjoni i Markagjonit, Shefqet Verlaci dhe Mustafa Kruja. Gjithashtu Akademia e Arteve dhe Shkencave të Italisë emnoi Fishtën pjestar të saj. Në këtë rasë u këmbyen shumë vizita, aq sa shpeshherë pengonin njana-tjetrën. Prof. Atanas Gegaj ishte mik personal i Markut të Gjomarkajve dhe hinte e delte në shtëpinë e tij sikur të ishte e vetja. Në këtë rast, bashkë me kolegun e vet, At Gjon Shllakun, i shkojnë për vizitë Gjonit të Gjomarkajve i emnuem senator. Tue kenë se shtëpia ishte mbushun me vizitorë, Marku i çon në dhomën e vet, pothuej si njerëz familjarë dhe që nuk e shprrallojnë. Ndërsá këta të dy prisnin t’u vijë kafja, At Gjoni sheh se mbi tavolinën e punës të Markut ishte nji letër shumë interesante për nji ditë të randësishme të historisë së Shqipnisë. Letra ishte shkrue nga Ernest Koliqi. Në nji çast që Prof. Atanasi ishte i habitun, At Gjoni merr letrën dhe e futë në xhep.
Ma vonë mbasi e lexon, ia jep At Aleksandër Lulit për ta mshehë. Mbas trí ditësh Marku i Gjomarkajve kujtohet se i ishte vjedhë letra. Vetëm Prof. Atanasi, simbas gjykimit të tij, duhej ta kishte bâ këtë punë. Prof. Atanasin e arrestojnë mbas trí ditësh të akuzuem për shumë çashtje politike. Mbas trí javësh hetuesie në burgun e Shkodrës e dërguen në Itali. At Aleksandër Luli kur pá se aty ku kish vû gurin e themelit për Dedë Gjo Lulin, shí aty ku sot gjindet monumenti i Luigj Gurakuqit, në qendër të Shkodrës, atê natë agjentët e SIM-it kishin gërmue. Ai e kishte mizën nën kësulë. Mbas pak ditësh u arratis në Jugosllavi, siç bani edhe At Gjon Shllaku. Kjo ndodhi gjatë verës së viti 1939. Mbas këtyne trí arratisjeve françeskane u thirrën në Romë At Çiprian Nika dhe At Anton Harapi, i pari superior i françeskanëve dhe i dyti nji ndër eksponentët mâ të njohun të kulturës shqiptare. U mbajtën atje si pengje, sigurisht me pretekste të ndryshme fetaro-politike.
Në fillim të shtatorit të vitit 1939, kur u hapën shkollat, liceu “Illiricum” i françeskanëve, nuk ndigjoi me futë si landë mësimin e doktrinës fashiste, tue thanë se nuk kishte profesora të lauruem në këtë fushë. Ministria e Arsimit dërgoi nji italian, i cili nuk zotnonte asnji fjalë shqip, por drejtori i liceut, At Frano Kiri, nuk e pranoi si profesor, mbasi gjûha e mësimit duhej të ishte shqip. Operacionin kundër françeskanëve e drejtonte personalisht Salvatore Meloni, ish-konsull në qytetin e Shkodrës, aso kohe emnue Sekretar i Përgjithshëm i Regjencës, i ndihmuem edhe nga delegati apostolik Mons. Leone Nigris, superfashist. Ministria e Arsimit ose mâ saktë Ernest Koliqi në këto rrethana e mbylli liceun “Illyricum”. Nxanësit u desht të shkonin në shkollat shtetnore, ku mësohej “doktrina fashiste”.
Liceu “Illyricum” i françeskanëve, siç thamë, u mbyll me urdhën të ministrit të Arsimit. Gjithashtu u mbyll shoqnia “Antoniane” tue iu konfiskue të gjitha veglat muzikore dhe mjetet e dëfrimit të rinisë si lojnat e ping-pongut, bilardoja etj., për t’ia kalue në favor të qendrave të partisë fashiste shqiptare. Ambientet e Kuvendit Françeskan u shkretuen. Dukej sikur po vdiste kombi. Fishta nuk u durue mâ. Shfrytëzoi emnin e akademikut dhe u nis për në Itali. Vizitën e parë e bani te Papa i Romës, Piu XII. E kam ndigjue personalisht nga goja e Fishtës kur tha: vizita te Papa i Romës zgjati nji orë e njizet minuta. Ishte shumë i shqetësuem sepse vendi ynë ishte okopue nga ushtritë fashiste italiane. Papa e këshilloi që të kërkonte nji takim personal me Benito Mussolinin dhe ta vente në dijeni për zhvillimin e çashtjeve atje. Ashtu u bâ, Takimi ndërmjet Fishtës dhe Benito Mussolinit zgjati 40 minuta. Duçia mbasi ndigjoi nga goja e Fishtës zhvillimin negativ të ngjarjeve, iu përgjigj kështu: “Për françeskanët e gjithë botës kam simpati mâ tepër se për pjesën tjetër të klerit katolik. Po të tregoj se nji ndër njerëzit mâ të çmuem prej meje âsht nji frat, Padre Domenico Franzè, mjek shkencëtar në lamin e vitaminologjisë. Nuk mund të thom se e kam At shpirtnor, as rrëfyes, por disa herësh kam bisedue me atê e jam këshillue. Kam besim të madh se ai ka me dijtë t’i drejtojë italianët e mi që të mos përplasen në këtë rast me interesat e popullit shqiptár. Për çka di, ata janë të urdhnuem për zhvillimin e vendit. Janë projekte të gatshme për ndërtime rrugësh, edhe hekurudhore, për qendra shoqnore e kulturore, sepse edhe gjendja strategjike sot na i kërkon këto dhe jo me mbyllë shkolla e spitale. I nderuem akademik, do të thërras sa mâ parë Padre Domenikon Franzé dhe në rasë se pranon ai, kam me e dërgue si përfaqësues temin personal për shqyrtimin e çashtjeve kishtare shqiptare. Gjithashtu, do të kërkoj në Selinë e Shenjtë që t’i jepet këtij njeriu fakultete të jashtëzakonshme për shqyrtimin e punëve. Mandej do ta lamë si të vendosë ai me urtinë e vet. A je i kënaqun me këtë zgjidhje?”
Fishta pranoi.
Në fillim të nandorit 1939 erdh në Shqipní, pa i tregue kurrkuj për autoritetin që i kishin dhanë, Padre Domenico Franzè. Gjatë dy muejve u suell nëpër Shqipní të Veriut sikur të ishte turist. Nuk la pa takue as frat, prift, o ipeshkëv. U takue me të gjithë italianët që mund të kishin randësi në Shqipní. Së fundi, mbasi u takue me Delegatin Apostolik Mons. Nigris, atëherë shkoi në Tiranë dhe kërkoi nji takim me Sekretarin e Përgjithshëm, Salvatore Melonin. Ky mbasi e la me pritë ndonji orë, mâ në fund e thirri. Kur hini bani kërkesën që t’i jepej nji avion ushtarak për me kthye në Romë. Meloni iu përgjigj se “kjo ishte nji kërkesë naive e dêjë vetëm për nji françeskan. A e din që Gjermania ka fillue luftën e cila do të jetë botnore? Na si aleatë të Gjermanisë duhet të jemi në gatishmëni edhe pse ende nuk kemi shpallë luftë. Kuptoje se në këtë gjendje âsht e pamundun të vemë në dispozicion të nji frati nji avion ushtarak!” Atëherë Pater D. Franzè iu kthye: “Ndigjò, shkëlqesi, ke nji urrejtje patologjike për françeskanët. Kam prova të sakta se ti me fretnit shqiptarë je sjellë edhe mâ zí se me mue sot e shpesh ke tregue përbuzje të madhe ndaj tyne.” Atëherë nxori dokumentin se ishte përfaqësues personal i Duçes dhe i Selisë së Shêjtë për shqyrtimin e çashtjes me françeskanët shqiptarë. Meloni u çue në kambë e e nderoi, ndërsá ky i tha se po nuk më gjete mbrenda nji ore avionin do të keshë përgjegjësi.
Gjatë asaj kohe që qëndroi në Romë u liruen Superiori i françeskanëve shqiptár At Çiprian Nika si dhe At Anton Harapi, të cilët nën pretekste të ndryshme mbaheshin si pengje atje.
Mbas disa javësh Pater Domenico Franzé u kthye përsëri në Shqipní, por tash i njoftun si përfaqësues i jashtzakonshëm. U takue edhe njiherë të dytë me shumë njerëz të randësishëm italianë e shqiptarë, të cilëve, mandej u shtroi nji drekë të madhe dhe në fjalimin e rastit që mbajti tregoi se të gjithë ata që kishin marrë pjesë direkte për shkatërrimin e bandës e orkestrës françeskane e sekuestrimin e paligjshëm të veglave muzikore do të paguenin. Lajmoi edhe fillimin e menjihershëm të liceut “Illyricum”, por tashmâ studentët ishin të larguem që në tetor. Nji tjetër thirrje iu dha profesorëve të larguem që të ktheheshin, por prej tyne u kthye vetëm At Gjon Shllaku, të cilit i dhanë drejtimin e revistës “Hylli i Dritës” dhe detyrën e profesorit të ekonomisë politike.
Mbas pak ditësh, para largimit të tij nga Shqipnia, Kuvendi Françeskan shtroi nji drekë tjetër të madhe për nderim të fratit që u kishte prû fitoren, në të cilën morën pjesë italianë e shqiptarë me përgjegjësi. Me të vërtetë që çashtja u fitue, por plagët e randa nuk u shëruen
Aso ditësh ngjarjet u rrokullisën ashtu siç nuk donin popujt. Në vjeshtën e 1940, ushtritë italiane sulmuen Greqinë. Mendohej për nji luftë të rrufeshme, por ajo u suell në dam të atyne që e filluen. Ushtritë italiane u zmbrapsën me turp aq shumë sa ra nën okupacionin e ushtrive greke nji pjesë e mirë e territorit të Jugut të Shqipnisë. Gjatë atij dimni të 1940-1941, që kje i tmerrshëm për nga të ftohtit, u zhvillue lufta italo-greke, e cila nuk dihej si mund të përfundonte, sikur ushtritë gjermane mos të mësynin furishëm Beogradin dhe me nji shpejtësi të pabesueshme, mbrenda pak ditësh mbërrijtën në kufinin greko-jugosllav. Tue kenë si dy fuqí të boshtit Romë-Berlin, ato nuk u ndalën aty, por hinë në kufinin grek tue zaptue të gjithë Greqinë, me gjithë ishujt e saj të shumtë, ku në Kretë u zhvillue nji ndër çmenduritë e mëdha të luftave. Ballkani ra nën okupacionin ushtarak me nji shpejtësi të çuditshme dhe gjermani me italianin ndanë vetë territoret pa ndonji traktat.
Në këtë rasë populli shqiptár përfitoi, sepse iu lëshue kësaj administrate edhe Kosova deri në Mitrovicë, po ashtu nji pjesë e Maqedonisë si dhe nji pjesë e Çamërisë. Prandaj, në këto kushte, në Shqipní u bâ nji ndërrim qeveritar. Kryeministër u emnue Mustafa Kruja e ministër i Mbrendshëm Kolë Bib Mirakaj.
Atë Gjoni në Liceun françeskan konsiderohej si profesori mâ i pregatitun. Në kohën e vet thohej se ishte njeriu mâ i naltë i kulturës shqiptare. Artikujt e tij në revistën “Hylli i Dritës” banin jehonë në të gjithë vendin, natyrisht në rrethet intelektuale dhe shoqnore. Gëzonte simpatinë e gjithë rinisë shqiptare të shkollueme sepse kishte ide e projekte shumë të avancueme, aq sa shumëkush, që e luftonte, thonte për atê se ishte socialkomunist. Kjo sepse kishte studiue në Paris, djepi i këtyne ideologjive në Europën Perëndimore. Në “Hyllin e Dritës”, që ai drejtonte, u botuen shumë shkrime të tij, si analiza shoqnore-politike, të shkrueme me nji stil modern, konçiz, i pashoq në kohën e vet. Ndërsá ndër polemikat ishte i thartë, djegës e i idhtë kundër të gjithë atyne elementave që kish në shenjestër, kryesisht përfaqësuesve të feudalizmit anadollak, si Shefqet Verlaci, ashtu edhe familjet e tregtarëve të mëdhaj, të përfaqësuem nga shkrimtari Ernest Koliqi. Âsht tepër interesant fakti që At Gjoni i kërkoi nji takim kryeministrit Mustafa Kruja. Ky e priti menjiherë. Folën mbi problemet shqiptare, mbi ata të kulturës dhe së fundi mbi problemet e zhvillimit shoqnor-ekonomik. Ndër këto probleme biseda u acarue. Pater Gjoni kambëngulte që qeveria shqiptare duhej të merrte masa të konsakrueme me ligj kundër feudalizmit injorant e shfrytëzues, ndërsá Mustafai insistonte mbi shêjtëninë e pronës private. Sidomos u acaruen së tepërmi kur At Gjoni i tha se mbi të gjitha, i bazuem në të dhanat shkencore, rezulton se feudalizmi kultivon idiotësinë mendore dhe servilizmin. A e di çka ndodh ndër ne atje në Lushnje, kur “lala” i Myzeqesë ka thanë: Drue se begu m’asht idhnue, sepse ka javë që nuk po më rrahë!”.
Mustafa kërceu nga kjo thanie: “Ti je, - i tha, - nji pro komunist!”.
U ndanë pa i dhanë dorën njani-tjetrit. Ndërkaq Mustafa mori në telefon ministrin e Mbrendshëm, Kolë Bib Mirakajn, dhe e urdhnon që ta arrestojë në vend At Gjon Shllakun si komunist!
Kola i përgjigjet: “Pater Gjonin e kam njohë personalisht, sepse kur pregatitej për me dhanë tezën e psikologjisë, ka ardhë me punue tre muej në shkollën e Iballes, po aq jam i sigurt, se ka punue edhe në ndonji shkollë të Lushnjes. Nuk e arrestoj!... Ai âsht antifashist, por jo komunist!...”
Më kujtohet se nji ditë, ndërsá na jepte mësimin e ekonomisë politike, na foli gjatë mbi teorinë ekonomike të Adam Smith-it, ku thuhej se “parja pjell punën dhe puna pjell paren!”. Teori ekzakte dhe e mrekullueshme. Por mâ vonë vijnë ekonomistët kritikë të kësaj teorie, Marksi dhe Engelsi, që i kundërvihen, tue thanë se nuk âsht kryesore çashtja e fitimit, por e shpërndamjes. Punëtorët duen shpërblimin e punës së tyne. Kështu u gjetën përballë dy teori ekonomike, të cilat kanë marrë sot formën politike: “i djathtë ose i majtë!”...
Mbaj mirë ndërmend se nji koleg i emi, shumë i aftë ndër mësime, çoi dorën dhe kërkoi me folë. Ishte nji filiz i rí i ideve komuniste, që aso kohe kishte pushtue gjithë rininë shqiptare. Foli bukur për nji revolucion të rí botnor, i cili, jo si revolucioni francez, por do t’i sillte njerëzimit barazinë e vërtetë, lirinë, mirëqenien e paqen të gjithë popujve të botës.
At Gjoni pasi e ndigjoi iu përgjigj:
- Ndigjò, djalë, kuptohet se për çka fole. Por ndigjò mirë: këtu na mësojmë ekonomi politike. Kemi folë mbi të gjitha sistemet ekonomike gjatë shkujve, tue fillue nga perandoritë asiro-babilonase, për të kalue te faraonët e Egjyptit, te ligjet greke ”demokratike” të Solonit e Likurgut, te perandoria romake-botnore, të gjitha pa përjashtim, të bazueme mbi sistemin e skllavopronarisë, gjatë së cilës, pak njerëz të lirë shfrytëzonin njerëz të tjerë skllavë të bindun se Zoti nuk i falë të gjithë njerëzit të barabartë. I pari ideolog i egalitetit ose barazisë kje Krishti. Për këtë u kryqëzue. Mbas treqind vjetësh kjo Perandori u shkatërrue pikërisht nga kjo “ideologji shoqnore” e bazueme mbi pabarazinë. Me ligje shtetnore skllavnia u zhduk. Por realiteti kje ndryshe. Popujt barbarë që zaptuen Europën, sollën me vete “feudalizmin”, sepse ashtu ishin të organizueme. Kush e fiton këtë tokë bâhet edhe zot i saj. Lind feudalizmi, nji trajtë e ré shfrytëzimi njerëzor ose skllavopronarisë, i cili u përhap me lëvizjet e popujve si në Lindje ashtu në Perëndim.
Monarkitë absolute u krijuen mbi mbështetjen e këtyne feudeve, që mund thirreshin ”princa”, “dukë” ose kandidatë për perandorë. Në të vërtetë, gjendja e popullit të vorfën nuk ndërroi; punonin si skllavë vetëm për bukën e gojës.
Revolucioni francez i shembi monarkitë absolute dhe konstitucionale dhe në vend të tyne vendosi “borgjezinë”. Borgjezia franceze krijoi “kapitalizmin”, i cili historikisht zavendëson sistemin skllavopronar dhe atê feudal, tue shfrytëzue punën e popujve të botës për kafshatën e gojës. Në të vërtetë, historia e njerëzimit përmblidhet në thanien “homo homini lupus” (njeriu âsht ujk i njeriut). Duhet ta kemi parasysh se në botë nuk ka pasë kurrë drejtësi njerëzore. Republika e Platonit âsht nji andërr e përhershme e njerëzimit. Ndërkaq, realiteti njerëzor, mbetet gjithmonë i njajtë, vetëm se ndërron emnat. Programet e premtimet janë vetëm “demagogji politike”, sepse nji fjalë e vjetër latine thotë: “vulgus vult decipi” (populli kërkon me u rrêjtë). Kjo âsht kenë gjithmonë e gjithkund gjatë historisë së njerëzimit. Mos andrroni se mund ndërrohet. Nji shfrytëzim njerëzor shndërrohet me nji shfrytëzim tjetër mâ të madh.
Në shkurt të vitit 1946 Pater Gjonin e arrestuen në klasën e Liceut, ndërsá po jepte mësim. U ekzekutue si themelues i Demokristianes dhe u pushkatue në fillim të marsit 1946.
Nxjerr prej veprës: At Zef Pllumi, Françeskanët e mëdhaj, Tiranë, 2001, fq. 139-150.
At Gjon Shllaku para trupit gjykues, 31 janar 1946
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com