VLORE- Riatdhesimi i Eva Dumanit ka rikthyer në vëmendje historitë e familjeve shqiptare që prej vitesh kërkojnë të afërmit e zhdukur në Siri. Mes tyre është edhe familja Korvafaj nga fshati Kuç i Vlorës.

Në një shtëpi të thjeshtë mes maleve te Kuçit, 77-vjeçari Luan Korvafaj jeton me bashkëshorten dhe pret me ankth për familjarët. Ai thotë se prej vitit 2013 nuk ka asnjë informacion për të vëllanë, Hasan Korvafaj, i cili u largua drejt Sirisë në kulmin e luftës, bashkë me të shoqen, Valentinën dhe dy fëmijët, Ida dhe Ajni, me çrregullime të spektrit të autizmit.

Më herët, në Siri kishte shkuar edhe djali i madh i Hasanit, Erjon Korvafaj, me bashkëshorten Ana dhe dy fëmijët e mitur. Fëmija i tretë i çiftit lindi gjatë qëndrimit në zonën e konfliktit.

Në vitin 2022, tre fëmijët e Erjonit u riatdhesuan dhe aktualisht jetojnë në Tiranë.

Sipas familjarëve, për Hasanin dhe Erjonin ka dyshime se mund të jenë vrarë gjatë luftimeve, por nuk ka konfirmim zyrtar për vdekjen e tyre. Shpresa e vetme, thonë ata, mbetet për gratë e familjes dhe dy fëmijët e Hasanit të jenë ende gjallë në kampet siriane dhe të mund të riatdhesohen.

“Na kanë thënë se Erjoni mund të jetë vrarë nga bombardimet. Edhe për Hasanin dyshojmë se e kanë vrarë. Por për gruan e Hasanit, nusen e Erjonit dhe dy fëmijët e sëmurë të Hasanit kemi njëfarë shprese se mund të jenë gjallë. Ata i mashtruan por nuk mundën të ktheheshin. Fëmijët e mitur të Erjonit janë kthyer prej tre vitesh dhe nuk i kemi takuar me ta. Ata nuk flasin, nuk tregojne shume”, shprehet Luan Korvafaj me te shoqen për mikrofonin e Report TV.

Tre fëmijët e riatdhesuar,  Amari 19 vjeç, Umer 13 vjeç dhe Hatixhja 10 vjeçe, jetojnë në Tiranë nën kujdesin e gjyshes nga ana e mamit. Sipas familjarëve, ata nuk kane shkuar asnjeherë në Kuç dhe s’kanë pasur kontakte me të afërmit nga ana e babait.

Ndërkohë, gjashtë anëtarët e tjerë të familjes; bashkeshortet Hasan dhe Valentina Korvafaj, bashkeshortet Erjon dhe Ina Korvafaj si dhe motër e vella, Ida dhe Ajni Korvafaj; vijojnë të figurojnë të zhdukur në Siri.

Historia e familjes nga Kuçi i Vlorës është një ndër shume rastet e shqiptarëve që u përfshinë në konfliktin sirian dhe sot s’dihet asgje per fatin e tyre…