Në programin e vizitës, veç bisedimeve zyrtare ndërmjet dy Ministrave të Punëve të Jashtme, janë parashikuar takime të zotit Lukshiç edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotin Bujar Nishani, me Kryetaren e Kuvendit, zonjën Jozefina Topalli dhe me Kryeministrin, zotin Sali Berisha.
Gjithashtu, zoti Lukshiç do të zhvillojë takime me drejtues të partive parlamentare dhe me përfaqësues të minoritetit malazez në Shqipëri. Në kuadër të kësaj vizitë do të mbahet edhe Forumi Ekonomik Shqipëri-Mali i Zi.
PRESIDENTI NISHANI: FLASIM ME NJE ZE ME MALIN E ZI, PER PROJEKTET E PERBASHKETA
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit të Malit të Zi, Igor Lukšić, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Panariti. Zyra e shtypit e Presidentit bëri të ditur se biseda u përqendrua në hapësirat dhe mundësitë që ekzistojnë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe integrimin europian të dy vendeve tona dhe rajonit në përgjithësi.
Presidenti Nishani dhe Zv/Kryeministri Lukšić ndanë mendimin se dy vendet tona duhet të flasin me një zë kur bëhet fjalë për projekte përbashkëta të rëndësishme në fushën e mjedisit, turizmit, infrastrukturës rrugore, duke veçuar projekte të tilla si TAP, IAP, për të cilat kryediplomati malazez kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi si kontribues në zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetjen e proceseve integruese në këtë vend dhe rikonfirmoi rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Presidenti Nishani dhe Zv/Kryeministri Lukšić u shprehën optimistë për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të cilat i shërbejnë të dy popujve dhe përbëjnë gjithashtu një model për popujt e tjerë të rajonit.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova përbën një faktor stabiliteti në rajon dhe se do të punojnë së bashku për përfshirjen e saj në të gjitha nismat rajonale dhe më gjerë.
TOPALLI - LUKSIÇ: KOHA PER BASHKEPUNIM NE PROJEKTE MADHORE RAJONALE
Bashkëpunimi konkret në projekte madhore, si e vetmja mënyrë për ecur drejt zhvillimit, stabilitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian ishte tema kryesore e takimit që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli pati sot me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi, Igor Luksic. Keshtu bëri të ditur sot, zyra e shtypit e Kuvendit.
Sipas këtij burimi, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, zoti Luksic tha se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të lobojnë për projekte infrastrukturore me rëndësi për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër zoti Luksic e njohu Kryetaren e Kuvendit me nismën më të fundit për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
“Përveçse të qenit vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë gjithashtu të njëjtën aspiratë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është hera e parë që vendet e rajonit po flasin me një zë. Vetëm nëse jemi bashkë do të ecim përpara dhe na takon ne të bëjmë diçka,” tha Zëvendëskryeministri i Malit të Zi.
Duke ndarë të njëjtin vlerësim, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se ka ardhur koha që marrëdhëniet politike mes dy vendeve të përkthehen edhe në bashkëpunim për projekte të mëdha të përbashkëta në ekonomi, infrastrukturë, energji, turizëm, etj.
“Vendet tona duhet të bashkëpunojnë dhe të lobojnë për integrimin e tyre në Bashkimin Europian. Bashkëpunimi mes vendeve tona, sidomos në këtë moment të krizës globale, është jetik. Projektet konkrete në ekonomi, infrastrukturë, energji, turizëm, etj., në vitet e ardhshme sjellin zhvillim dhe zhvillim do të thotë siguri, stabilitet dhe më shumë mirëqenie për qytetarët,” tha zonja Jozefina Çoba Topalli.
“Jam shumë e kënaqur që vendi juaj po përparon në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, u shpreh më tej Kryetarja e Kuvendit. Fatkeqësisht, statusi i vendit kandidat për Shqipërinë mbetet i bllokuar për shkak të mosvotimit të tre ligjeve nga opozita. Personalisht ndihem e trishtuar, pasi mosmarrja e statusit bllokon hapa të tjerë që rëndësishëm që Shqipëria duhet të hedhë për të realizuar aspiratën e saj drejt Bashkimit
KRYETARI I PS, RAMA: BASHKEPUNIM MES VENDESH DHE PARTIVE, QE DREJTOJME
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Integrimit Europian, zotin Igor Lukšić është pritur sot edhe nga Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Në takimin me Zv.Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi Igor Lukšić, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi vlerësoi progresin që ka bërë Mali i Zi në drejtim të integrimit europian, vuri në dukje rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe vendeve të tjera të rajonit, përmes projekteve të përbashkëta për zhvillimin e infrastrukturës, turizmit, mbrojtjes së mjedisit, etj.
Burimet zyrtare të PS-së bënë të ditur se bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i suksesshëm rajonal, krahas nxitjes së zhvillimit ekonomik të rajonit, do t’i japë një shtytje të mëtejshme arritjes së objektivit për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të rajonit tonë në Bashkimin Europian.
Zëvendëskryeministri Lukšić vlerësoi vullnetin e shprehur nga Kryetari i PS për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve tona, duke vënë në dukje potencialin e madh që ekziston në këtë drejtim. Gjithashtu, përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke rikonfirmuar aspiratën e Malit të Zi për një anëtarësim sa më të shpejtë në këtë organizatë. Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u ndalën në forcimin e bashkëpunimit mes dy partive respektive.
Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)