Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar sot se do t'i shkarkonte menjëherë këshilltarët e tij Chris LaCivita dhe James Blair "nëse ka një konflikt interesi", pas një raporti të New York Times se dy 'agjentët' politikë vizituan territorin boshnjak të Republikës Srpska.

Gazeta New York Times raportoi të martën se LaCivita dhe Blair kishin vizituar territorin në Bosnje dhe Hercegovinë përpara zgjedhjeve që do të mbahen atje të dielën, për të mbështetur partinë e Millorad Dodik. Trump i kishte caktuar LaCivita dhe Blair për të udhëhequr fushatën elektorale të Partisë Republikane përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit 2026 në SHBA.

Trump, në postimin e tij në Truth Social ka shkruar gjithashtu se Chris LaCivita dhe Blair nuk punon më për të, por ishin thjeshtë konsulentë të tij të jashtëm. Sipas Trump, LaCivita dhe James Blair punojnë edhe punë të tjera për njerëz të tjerë dhe ligji sipas tij u’a lejon këtë gjë. Ai shtoi se do i takonte dhe do i pyeste të dy se për kë punonin dhe nëse do të kishte konflikt interesi, Trump theksoi se do të ndërpriste çdo marrëdhënie me ta.

Kujtojmë se LaCivita u pagua nga PD dhe kryedemokrati Sali Berisha me 1.4 milionë dollarë si këshilltar për zgjedhjet e 11 majit të vitit 2025. Po ashtu, PD nënshkroi një kontratë me vlerë 6 milionë dollarë, që do paguhen në arkat e 'Continental Strategy' (e cila ishte e lidhur edhe me LaCivita) nga fondacioni i krijuar nga Nuredin Seci, “MAGA” dhe që mbetet e dyshimtë, teksa ndodhet nën verifikim edhe nga ana e SPAK-ut. Pagesat e bëra ndaj kësaj kompanie nga PD, kishin si qëllim lobimin për këtë forcë politike në SHBA.

Reagimi i Presidentit Trump në rrjetet sociale:

Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm. Ka shumë të ngjarë që të kenë një numër të madh klientësh, por për këtë duhet t’i pyesni ata.

Ata lejohen të kryejnë punë për të tjerë, njësoj si të gjithë konsulentët në Uashington, D.C. Nuk kam asnjë ide se për kë tjetër punojnë, por, pas një reflektimi, do t’i pyes dhe, nëse ka një konflikt interesi, do t’i ndërpres menjëherë marrëdhëniet me ta!

Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.