TIRANË - Për herë të parë pasi u mor i pandehur, deputeti socialist Plarent Ndreca u paraqit në Prokurorinë e Posaçme. Ligjvënësi i PS ishte në SPAK për rreth 4 orë, ndërsa është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tenderë.

Ai u paraqit rreth orës 13:00 në SPAK dhe doli rreth orës 17:00, ndërsa mësohet se deputeti ka kërkuar vetë të paraqitet në SPAK, pasi është njohur me përfundimin e hetimeve ndaj tij për të dhënë sqarime.

Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Ndreca nuk dha detaje për gazetarët, por tha se do të flasë në momentin e duhur pasi çështja është ende në hetim. 

"Në cilësinë e personit që vijon ende hetimi. Do shprehem në momentin që duhet të shprehem. E kam lexuar dhe do shprehem në atë moment që unë konsideroj se është e duhura. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Çështja konsiderohet si çështje akoma në hetim", tha Ndreca pasi doli nga SPAK. 

Ndreca u mor i pandehur nga SPAK më 25 tetor 2024 për shkelje të barazisë në tenderë gjatë kohës kur ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme (korrik 2019-shtator 2020). Ndreca akuzohet lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend.

Në lidhje me këtë tender SPAK u vu në lëvizje nga një kallëzim i bërë nga  Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.

Po ashtu, sipas KLSH-së ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Ndërkohë nga 4 komisariate rikonstruksioni ka përfunduar vetem për dy prej tyre atë të Mirditës dhe Komisariatit numër 4.

Akuza u është komunikuar edhe disa ish-zyrtarëve të tjerë si dhe anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave gjatë vitit 2019 -2020 kohë kur Ndreca, ka qenë në Ministrinë e Brendshme.