TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Plarent Ndreca, është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “shkeljes dhe pabarazisë në tenderë”. Ndreca akuzohet lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ndreca ka shërbyer në këtë pozicion nga korrik 2019 deri shtator 2020. 

Këtë të premte, 25 tetor 2024, përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për t'u njohur me përfundimin e hetimeve. Vetë deputeti i PS Ndreca nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati Ermal Yzeiraj, i cili u njoh me akuzën dhe firmosi përfundimin e hetimeve.

"Më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë", njoftoi SPAK.

Akuza u është komunikuar edhe disa ish-zyrtarëve të tjerë si dhe anëtareve të komisionit të vlerësimit të ofertave gjatë vitit 201 -2020 kohë kur Ndreca, ka qenë në Ministrinë e Brendshme.  

Në lidhje me këtë tender SPAK u vu në lëvizje nga një kallëzim i bërë nga  Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.

Po ashtu, sipas KLSH-së ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Ndërkohë nga 4 komisariate rikonstruksioni ka përfunduar vetem për dy prej tyre atë të Mirditës dhe Komisariatit numer 4.

Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj edhe ky i fundit është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posacme, por deri tani nuk ka informacion për procedimin e tij.

Ndreca u betua si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në janar të këtij viti, ku zëvendësoi Arben Ahmetajn. Aktualisht, ai është edhe nënkryetar i Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:33
Plarent Ndreca u mor i pandehur nga SPAK, reagon Bardhi: Deputeti gënjeu publikisht! Tenderët në qeverinë e Ramës, mundësi vetëm për klientët e paracaktuar!

1729856425_12121.jpg

Plarent Ndreca dhe Gazment Bardhi

Pak pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi marrjen nën akuzë të deputetit socialist Plarent Ndreca, për 4 prokurime tenderësh të rikonstruksionit të Komisariateve, në kohën kur mbante detyrën e Sekretarit të Ministrisë së Brendshme, ka ardhur edhe reagimi nga Partia Demokratike.

Është kreu i grupit opozitar, Gazment Bardhi, që me një reagim në rrjetin social Facebook e cilëson se “tenderët publikë në qeverinë e Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientët e paracaktuar”.

Ai thekson se është “eliminuar gara dhe meritokracia”, teksa akuzon Ndrecën se “gënjeu publikisht”.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Deputeti i Edi Ramës gënjeu publikisht, kur deklaroi se është e pavërtetë që është nën hetim nga SPAK. Por, gënjeshtra mbulon zullumin vetëm për disa orë apo ditë, por e vërteta triumfon përgjithmonë!

E vërteta është që tenderat publik në Qeverinë e Edi Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eleminuar garën dhe meritokracinë. Klientelizmi dhe korrupsioni janë e vetmja formë për të bërë biznes në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Për këtë nevojiten zyrtar publik si Plarent Ndreca, që për shërbimet në shkelje të ligjit, për mbështetjen ndaj klientelizmit dhe korrupsionit, shpërblehen nga Edi Rama duke u promovuar si deputet!”.

Postimi i Gazment Bardhit