TIRANE - Kristi Pine, i penduari i “Vrasësve me pagesë”, ka tentuar vetëvrasjen në ambientet e qelisë së paraburgimit. Mësohet, se gjatë mbrëmjes së të martës, rreth orës 21:00 ka prerë damarët e dorës me një stilolaps. Menjëherë, me ndërhyrjen e personelit të bugut dhe atë mjekësor, Pine është dërguar në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.

Sipas burimeve, bëhet me dije, se personelit mjekësor të urgjencës i janë dashur rreth 1 orë kohë, për të mbyllur venat e dëmtuara dhe plagët e shkaktuara nga goditjet me stilolaps. Ndërkohë, pas ndërhyrjes kirurgjikale, Pine është rikthyer sërisht në qelitë e Spitalit të Burgut për vazhdimin e mjekimeve.

Po të njëjta burime, kanë thënë se shkak për këtë veprim, ka qënë gjendja e rënduar psikologjike dhe pakënaqësitë e tij për grupin hetimor, por pa dhënë detaje për rastet konkrete. 24 vjeçari nga Elbasani e njohu burgun pas një arrestimi për vjedhje me dhunë dhe, sipas tij, pikërisht aty ai njohu edhe Tafilin. Pine është arrestuar më 16 shkurt të këtij viti, si i dyshuar për vrasës me pagesë.

Ndërkohë, pas arrestimit, Pine ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë duke treguar 5 krime të kryera nga ai dhe bashkpëunëtorët e tij. Gjatë rrëfimit dhe pendesës, Pine i ka thënë hetuesvse së këto ngjarje i ka kryer së bashku me të dyshuarit Alfred Qefalia, Aleksandër Goro, Admir Tafili, Dhimitër Zito dhe Adrian Uzini. Gjatë hetimeve Kristi Pine rrëfeu para Prokurorisë së Krimeve të Rënda se, me kërkesë të Tafilit, vranë shtetasin Ibrahim Mani në qytetin e Shkodrës, në vitin 2014.
 
Arrestimi
Policia e Korçës ka arrestuar dy ish-gardianë të burgut të Drenovës pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Irakli Isallari 57 vjeç dhe Vasillaq Xhurka 49 vjeç, pasi Gjykata e këtij qyteti i ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg. Dy të arrestuarit kanë qënë gardinë në burgun e Drenovës në kohën kur u arratisën 7 të dënuar, mes tyre dhe Admir Tafili. Kujtojmë, se ngjarja ndodhi në nëntor të 2013-­ës.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)