DURRËS- Brenda vitit të ardhshëm qytetarët dhe miqtë që vijnë të vizitojnë Durrësin do të kenë një shëtitore të re.
Sheshi “Taulantia” në zonën e njohur si “Vollga” në një park qendror ku do të ketë më shumë hapësira për qytetarët, sheshe, gjelbërim, hapësira të ndriçuara dhe parqe të dedikuara për aktivitete sportive dhe lojëra për fëmijë.
Përmes një postimi në facebook, kryebashkiakja Valbona Sako thekson se projekti është i përqëndruar në rreth 1 km vijë bregdetare, që përfshin sistemimin e rreth 30 mijë m2 sheshe dhe ndërtimin e shkallareve deri në det.
“Në total do të kemi ndërhyrje në 56,400 m2, ku përfshihen rreth 20 mijë m2 sipërfaqe te gjelbëruar, mbjelljen e rreth 500 pemëve dhe rreth 6500 shkurreve dekorative, fusha sportive, kënde lojërash dhe parkim. Brenda vitit të ardhshëm qytetarët dhe miqtë që vijnë të vizitojnë Durrësin do të kenë një shëtitore të re, që do t’i japë shkëlqimin e duhur kësaj zone, duke e kthyer në një prej atraksioneve kryesore për të kaluar kohën e lirë”, nënvizon Sako. Bashkia e Durrësit ka nisur një sërë projektesh të rëndësishme që synojnë të përmirësojnë infrastrukturën në qytetin bregdetar jo vetëm për banorët e tij, por edhe për turistët e shumtë.