TIRANË- I ka zgjatur vetëm pak aventura të riut që xhiroi makinën para komisariatit të policisë numër 6 në Tiranë dhe e postoi videon në rrjetet sociale. Pas transmetimit të lajmit në Shqiptarja.com, Policia Rrugore ka angazhuar efektivët për të bërë të mundur kapjen e shoferit që bëri veprim të rrezikshëm para komisariatit dhe e kanë çuar pikërisht në komisariatin numër 6. Me studimin e videos së publikuar dhe identifikiin e targës së automjetit, policia rrugore e Tiranës ndaloi të riun dhe bëri shoqërimin e tij në komisariat. I ndaluari është 29-vjeçari me inicialet B.Bresha.

Policia, thotë se veç masave administrative për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që ka rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, do të nisin edhe veprimet për procedimin penal të tij për sjelljet e rrezikshme në rrugë. "Sfidë kujtdo që cenon sigurinë. Denonco drejtuesin e keqedukuar. Manifesto rregull, qetësi në makinë", apelon policia. 

1579640181_1579639082policiaaksion.jpg

29-vjeçari xhiroi gomat e makinës "Benz AMG" dhe bëri "drift" para komisariatit nr. 6 në Kombinat, sikur të ishte diçka krejtësisht normale. Një veprim të tillë, të rinjtë e pasur të kryeqytetit e shohin si një arritje, e cila siç duket merr përmasa më të mëdha për faktin se po xhirojnë gomat "sipër shtetit". Dy persona qëndrojnë në makinë, teksa një i tretë i filmon ato dhe qesh, pa marrë parasysh faktin se kjo rrugë është shumë e populluar dhe kanë vënë në rrezik jetën e dhjetëra kalimtarëve dhe shoferëve të tjerë.

Interesante është fakti se edhe në komentet tek videoja e publikuar në faqen e Instagramit "Rich KidsTirana" të tipit "kush tjetër përveç meje xhiron para shtetit".

Për këta shoferë të pabindur që janë një burim kryesor aksidentesh, Ministria e Brendshme ka propozuar ashpërsim të Kodit Rrugor ku synohet rritja e masave administrative për shkelësit. Mes tyre edhe "testi i idiotit" për të parë gjendjen psikologjike të drejtuesve pas veprimeve të tilla si ky që shfaqet në këtë video.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
Sfidë kujtdo që cenon sigurinë! Rrugorja e Tiranës ndalon 29-vjeçarin dhe e çon në komisariatin ku xhiroi gomat (VIDEO)

Pas videos së transmetuar në Shqiptarja.com policia ka ndaluar dhe shoqëruar shoferin që xhiroi gomat para komisariatit numër 6, dhe e kanë shoqëruar pikërisht në komisariatin numër 6.

"Nisur nga postimi në disa portale elektronike, ku shfaqej një automjet i markës Mercedes Benz me ngjyrë të bardhë duke bërë manovra të rrezikshme dhe xhirime gomash në rrugën “Llazi Miho”, përpara Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, shërbimet e Policisë, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave  përreth vendit ku drejtuesi i mjetit kishte xhiruar gomat, bënë të mundur identifikimin e automjetit.

Pas identifikimit të të dhënave të automjetit që shfaqej në videon e publikuar, rrugorët e kryeqytetit organizuan kontrolle të shtuara. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në Unazën e re u bë i mundur ndalimi dhe shoqërimi i drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, një 29-vjeçar me inicialet A.B, ku po kryhen dhe verifikimet e nevojshme, me qëllim procedimin penal të personit përgjegjës për veprimet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë, si dhe procedimin administrativ për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të konsumuara nga drejtuesi i këtij automjeti, që kanë rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës që gjendeshin në afërsi të vendit ku automjeti po kryente manovrat e rrezikshme", njofton policia.

"Sfidë kujtdo që cenon sigurinë. Denonco drejtuesin e keqedukuar. Manifesto rregull, qetësi në makinë", apelon policia.