Pas një kalvari të gjatë peripecish me shëndetin e foshnjës se tyre, dy prindër nga Elbasani kanë gjetur zgjidhje duke denoncuar rastin në emisionin "Pa Gjurmë" të gazetares Odeta Dume në Report TV. Lutfi dhe Fatushe Senja treguan me lot në sy në studion e emisionit se vogëlushi i tyre Ani u diagnostikua me anomali në zemër vetëm tre javë pasi erdhi në jetë.
“Kur e dërgova në spital për një vizitë të thjeshtë, pediatre Irena Bardhoshi më tha se djali ka një zhurmë në zemër. Pak më vonë erdhi kardiologu, e vizitoi dhe më tha se djali juaj ka një problem serioz në zemër dhe duhet të vini për kontroll mbas një muaji. Por muaj pas muaji e kanë shtyrë... Pastaj shkuam edhe në Tiranë për më shumë siguri dhe më thanë se duhet të kryej ndërhyrje kirurgjikale sa më shpejt të jetë e mundur."- u shpreh e pikëlluar nëna e foshnjës.
Por edhe pse ndërhyrja kirurgjikale ishte urgjente, prindërit u sorrollatën për muaj nga Elbasani në Tiranë duke mos gjetur zgjidhje. Madje ata akuzuan një kardiopediatër pranë QSUT-së, se u kishte kërkuar një shumë parash për operacionin.
"Ju drejtuam me dhjetra herë pediatrisë në spitalin e Tiranës dhe ende nuk kanë dhënë një përgjigje. Na pyetën se si jemi nga gjëndja ekonomike dhe i thashë që jemi pa punë. Unë nuk kam para të paguaj. Kam hyrë në borxhe, kam marrë 3-4 milion lekë dhe djali është shumë rëndë, është me tension të lartë të zemrës dhe rënkon. Nuk mundemi më."-shton më tej Fatushe Senja
Në të tilla kushte ata u detyruan të nxjerrin foton e djalit në rrjete sociale dhe të kërkojnë para për ta kuruar djalin një spital të huaj por nuk ia dolën as në këtë mënyrë. Pas denoncimit të rastit në Report Tv, në një lidhje direkte, kardiopediatre Numila Kuneshka reagoi duke u shprehur se një ekip mjekësh të QSUT-së merr përsipër operacionin e vogëlushit Ani me kosto zero.