TIRANË- Një 33-vjeçar ka rënë në pranga në aeroportin e Rinasit pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Klajdi Çela (Cela) do të ekstradohet drejt Italisë pasi ndaj tij Gjykata e Pavias ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ky vendim është marrë në vitin 2019, ndërsa akuzohet për trafik droge. Deri në 20 vite burg rrezikon 33-vjeçari sipas Kodit Penal të Italisë, ndërsa ai ka qenë më parë i dënuar në Gjermani po për të njëjtën akuzë.
Ndërkohë, një tjetër 59-vjeçar, Sali Allushi është arrestuar në Elbasan. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në vitin 2014 e ka dënuar 59-vjeçarin me 7 vjet e 5 muaj burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Ai është kapur në vitin 2011 në dalje të qytetit të Elbasanit, ku bashkë me dy persona të tjerë ka qenë duke shitur lëndë narkotike.