22-vjeçari Redi Balla i shpëtoi një atentati mbrëmjen e djeshme te Komuna e Parisit, ku mbeti i plagosur, ndërsa dëshmia e tij nuk kanë ndihmuar aspak hetuesit në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve. Në një dëshmi 'standarde', Balla ka deklaruar se nuk e kishte parë në fytyrë personin që e ka qëlluar, pasi ishte në makinë dhe nuk kishte qenë i vëmendshëm.

Balla nuk është banor i Komunës së Parisit, ndërsa u qëllua vetëm pak minuta pasi kishte dalë nga një kafene dhe mori makinën për t'u nisur në shtëpi.

Ndërkohë rezulton se ai është person problematik, i hetuar disa herë për sherre. Pistat e hetimit janë përqendruar te një sherr banal që i riu ka patur me disa persona për një vajzë disa ditë më parë, që mund të ketë çuar deri në ngjarjen e mbrëmshme.

I riu u qëllua brenda automjetit të tij mbrëmjen e djeshme, ndërsa mori një plumb në këmbë. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Komuna e Parisit është një zonë mjaft e frekuentuar dhe e rrethuar nga biznese me kamera të shumta sigurie, që pritet të zbardhur identitetin e autorit apo autorëve.  

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:21
Plagosja e 22-vjeçarit te Komuna e Parisit, shkak i ngjarjes dyshohet një sherr i mëparshëm për një vajzë! Atentatorët u larguan me 'Audi' me targa italiane

Ndonëse 22-vjeçari Redi Balla nuk i tregoi asgjë policisë që mund të ndihmonte në kapjen e personave që e lanë atë të plagosur mbrëmjen e djeshme në Komunë  e Parisit, hetuesit kanë dyshime se ai e di identitetin e autorëve. Mësohet se pasi është qëlluar me armë, ku plumbi e kapi në këmbë, i riu nuk kishte marrë në telefon ambulancën për të shkuar në spital, por iku te Trauma me taksi.

Ndërkohë më shumë detaje pritet të dalin nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë së lokaleve në zonë, që deri më tani kanë zbuluar se atentatorët u larguan nga vendngjarja me një mjet tip "Audi" me targa italiane. Nuk dihet ende identitet ii autorëve. I riu është një person problematik, i shoqëruar disa herë në polici për sherre, që mund të kenë sjellë edhe ngjarjen e mbrëmshme. Pista që po hetohet është një konflikt që ai mund të ketë pasur me autorët në lidhje me një vajzë, por megjithatë vijojnë ende hetimet.