Aksi rrugor Librazhd-Qafë Thanë u bllokua ditën e djeshme prej 7 orësh pas shkëputjes nga mali të shkëmbinjve dhe masiveve të dherave. Fatmirësisht askush nuk u lëndua, ndërsa dëshmitar në atë moment ishte Safet Duka, i cili në kohë arriti të bënte pas duke i shpëtuar tragjedisë. Duka dhe nëna e tij, e cila ishte pasagjere nuk u lënduan, ndërsa automjeti pësoi dëmtime.

Safet Duka thotë se rrëshqitja e shëmbinjve dhe dherave ndodhi si pasojë e punimeve që po zhvillohen në pjesën e sipërme të këtij aksi, për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë dhe jo nga reshjet e shiut apo ujërat nëntokësorë e lagështinë në zonë.

“Isha këtu dhe isha i pari. Sa ndalova se e pashë që u shembën disa gurë të vegjël pastaj ranë gurë të mëdhenj. Më kapën pak makinën dhe ika mbrapsht. Po mos të kisha lëvizur do të na kishin vrarë edhe mua edhe mamin që ishte në makinë. Erdhën pastaj fadromat, ato që po bëjnë rrugën lart. Prej rrugës larg u shembën gurët. Kanë 1 vit që punojnë aty lart. Ne kërkojmë drejtësi, këtu në Shqipëri nuk gjen drejtësi”, tha Duka.

Punimet për zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë po kryhen nga kompania “A. N. K.” në pronësi të Agim Kolës, i cili ka fituar tenderin me vlerë 20.8 milionë euro. Duka kërkon dëmshpërblim nga kompania për automjetin, ndërsa nga “A. N. K.” ka marrë përgjigje të prerë “Nuk mbajmë përgjegjësi, është shembje natyrore”, sipas Safet Dukës.

“Rrugët këtu në Shqipëri s’kanë siguri. Erdhi policia. Më thanë ata që po ndërtojnë autostradën hajde nesër tek zyrat. Shkova sot tek zyrat më thane që nuk mbajnë përgjegjësi se është shembje natyrore”, tha Safet Duka.

Shkëmbinjtë gjigandë dhe masivet e dherave bllokuan tërësish dy anët e aksit duke shkaktuar dhe një trafik kilometrik që prej mesditës. Rruga u hap për automjetet rreth orës 18:00 të pasdites. Ditën e djeshme për Report Tv reagoi dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Ami Kozeli, i cili tha se rrëshqitja ka ndodhur si pasojë e mbingopjes me ujë nga reshjet të shpatit të malit.

“Ne kemi një shpat që për shkak të reshjeve të shumta është i mbingopur me ujë. Kjo ka shkaktuar edhe këtë rrëshqitje. U bë rrëzimi i komanduar pasi kishte rrezik. Dhe tashmë kontraktori po bën pastrimin dhe shpresojmë që të lirohet për 20-30 minuta. Synimi është që të hapen të dyja korsitë por është edhe një masiv shumë i madh që do të dojë punime me matrapik”, tha Kozeli ditën e djeshme.

Nga vëzhgimi i Report Tv sot në terren, shihet se janë vendosur tabela orientuese për shoferët si dhe një fadromë që ndodhet në aksin rrugor duke vijuar pastrimin nga inertet.