Për të dytën ditë radhazi, qytetarët në lagjen "18 Tetori" në Lushnje po vuajnë ndotjen e ajrit dhe erën e keqe për shkak të djegies së mbetjeve në vendgrumbullimin e qytetit. Tymi i zi ka 'pushtuar' zonën, ndërsa qytetarët thonë se situata është bërë e padurueshme.

Për shuarjen e flakëve po punojnë disa mjete zjarrfikëse të ardhur nga Fieri, Patosi e Rrogozhina përveç atyre të Lushnjes e Divjakës. Për të minimizuar djegien, po bëhet edhe mbulimi me dhé i mbetjeve.

Kryetarja e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa në një prononcim për mediat është shprehur se po punohet për fikjen e flakëve, teksa thekson se pas kësaj, mbetjet urbane të Lushnjes nuk do të depozitohen më në fushën e mbetjeve, por do të dërgohen në inceneratorin e Fierit.

Si autor i zjarrit është arrestuar sot 42-vjeçari Mondi Shehu, roje, i akuzuar për për shpërdorim detyre dhe ndotje të ajrit, ndërsa nuk dihet se në çfarë rrethanash i vuri flakën fushës së mbetjeve.

Në fushën e mbetjeve në Lushnjë, mbetjet depozitohen prej 40 vitesh, ndërsa shtëpitë që shihen edhe në pamje, janë të ndërtuara në vitet '90 dhe janë në proces legalizimi.

Me djegien e plastikës prodhohen disa nga helmet më të rrezikshme në planet siç janë dioksina dhe furana, të cilat janë kancerogjene.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:53
Zjarri në landfillin e Lushnjes, qytetarët: U helmuam! Kryetarja e Bashkisë: Po punohet për shuarjen e flakëve, mbetjet do të dërgohen te inceneratori i Fierit

 

Vijon prej dy ditësh emergjenca mjedisore në Lushnjë, si pasojë e djegies së mbetjeve në landfillin e qytetit. Tymi i zi dhe era e rëndë kanë 'pushtuar', lagjen "18 Tetori"të qytetit, ndërsa qytetarët shprehen se tymi i çliruar po i helmon.

"U helmuam, rrimë me maskë", thotë një banore e zonës.

"Ne po ruhemi nga virusi, kemi tymin te dera. Po i mbajmë dyer e dritare mbyllur se nuk durohet, u mbytëm", shprehet një tjetër.

Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa në një prononcim për mediat është shprehur se po punohet për fikjen e flakëve, teksa thekson se pas kësaj, mbetjet urbane të Lushnjes nuk do të depozitohen më në fushën e mbetjeve, por do të dërgohen në inceneratorin e Fierit.